TIRANE –Prindërit e 30-vjeçarit Eduart Budini, i cili u ndalua një ditë më parë në Gjirokastër, pasi dyshohet të jetë autori i grabitjes së një taksisti, 5 muaj më parë në Tiranë, thonë se djali i tyre e ka kryer grabitjen nga dëshpërimi, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

Refit dhe Violeta Budini deklaruan për “News24” se djali nuk u ka hapur kurrë probleme, por ndodhej në një situatë të vështirë, pasi është në proces divorci dhe ka shumë borxhe e një kredi të pashlyer.

“Jam gati të marr borxh për t’i kthyer paratë taksistit. Drejtësia të marrë parasysh gjendjen ekonomike. Nuk kam asnjë lek në shtëpi. Nuk kam para as për të udhëtuar për të takuar djalin. E di që do të dënohet, dhe nuk do jem gjallë derisa ai të dalë nga burgu.”- shprehet nëna e Eduart Budinit.

30-vjeçari Eduart Budini është punonjës i Policisë në Repartin e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Ai ishte i emëruar me detyrë në Dragot të Tepelenës. Budini, nga qyteti i Këlcyrës, ka shërbyer si pjesë e Sektorit të Komandove në Forcat e Armatosura i rekrutuar në Policinë e Shtetit dy vite më parë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb