Jashtë ambienteve të policisë për të marrë një konfirmim zyrtar nëse është Admir Murataj personi që është vrarë ditën e djeshme, në grabitjen e 10 mln eurove të 4 bankave të Nivelit të Dytë në Shqipëri, pret edhe vëllai i tij, Tan Murataj.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se ka komunikuar personalisht me të dhe thotë se familjes kanë filluar t’i vijnë ngushëllimet, por se ata nuk i kanë hapur ende dyert e mortit.

“Kërkoj të di nëse është vëllai im. Zyrtarisht nuk dimë gjë për vëllanë. Familja jonë po merr ngushëllime. Policia nuk na konfirmon që i vrari është Admiri’, ka thënë ai.

Duket se për të konfirmuar zyrtarisht vrasjen e Muratajt, policia pret edhe analizën e ADN-së nga Greqia, vendi fqinj ku edhe ishte dënuar e më pas arratisur nga burgu.

KUSH ESHTE ADMIR MURATAJ
Admir Murataj njihet ndryshe edhe si Admir Nikaj dhe është me origjinë nga Tropoja. Admir Nikaj njihej më herët nga Policia, pavarësisht se aktiviteti i tij nuk ka qenë në Shqipëri, por jashtë vendit. Ka qenë i arrestuar në Greqi dhe i arratisur nga burgu i Trikallës.

Grupi akuzohet se ka kryer të paktën tri grabitje të tjera bujshme bankash dhe në total mund të ketë grabitur 7 milionë euro. Episodi i parë i grabitjes daton më 3 dhjetor të vitit 2015, ku në segmentin Qafë-Kashar-Rinas u grabit me armë një blind që transportonte një shumë të konsiderueshme parash nga një bankë e nivelit të dytë. Mekanizmi i ngjarjes rezulton të ketë qenë i tillë që, mjeteve të shoqërisë private të ruajtjes dhe sigurisë u është prerë rruga nga një automjet i llojit fuoristradë, i cili është futur nga kryqëzimi i rrugës së fshatit Domje-Laknas në rrugën kryesore, ku në atë moment po kalonin mjetet me sasinë e të hollave.

Episodi i dytë ka ndodhur më 9 shkurt të vitit 2017, po në rrugën e Rinasit, ku grabitja është bërë në të njëjtën mënyrë. Ndërsa grabitja e tretë ka ndodhur më 13 shkurt në një bankë në afërsi të ish-Stacionit të Trenit në Tiranë, ku u vodh një tjetër sasi e konsiderueshme parash.

NGJARJA
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00, teksa pesë persona i janë afruar aeroportit me një mjet ku shkruhej “hetimi tatimor”. Tre kanë hyrë brenda pistës dhe kanë marrë paratë, dy të tjerë kanë qëndruar në makinë.

Sapo kanë marrë paratë autorët janë larguar por janë përballur me FNSH-të dhe policinë kufitare të Rinasit në një rrugë dytësore ku kanë shkëmbyer zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit dyshohet se ka humbur jetën dhe grabitësi që dyshohet të jetë Admir Murataj, (i maskuar si tullac). Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë qëlluar edhe nga bashkëpunëtorët e tij. Viktima u hodh pranë lumit në urën e Tapizës nga pjesa tjetër e grupit. Ai nuk kishte asnjë mjet identiteti.

Policia ka gjetur një furgon me armatime, që dyshohet se u përdor për të marrë paratë. Ndërkohë që një automjet tjetër i cili u gjet i djegur mes Tapizës dhe Bathores, që dyshohet se është përdorur nga grabitësit për t’u larguar nga aeroporti. Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të tjerë grabitjes. Në operacionin e gjerë u angazhuan forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit. Për ngjarjen policia ka shoqëruar mbi 40 persona që mund të kenë dijeni, mes tyre dhe punonjës të sigurisë së aeroportit. Gjatë mbrëmjes së djeshme u deklarua se policia ka arrestuar edhe një prej grabitësve të tjerë. Ky është rasti i dytë i grabitjes së parave brenda pistës së aeroportit të Rinasit dhe i katërti i grabitjes së parave të bankave që shkojnë drejt Rinasit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb