TIRANE

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një dalje për mediat ka reaguar zyrtarisht për grabitjen e 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit. Sipas Kryemadhit , ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm vendin tonë por gjithë rajonin. Kryetarja e LSI-së në fjalën e saj bën përgjegjëse Qeverinë për gjithë ngjarjen e rëndë ndërsa thekson se mbështet kriminelët.

“Përshëndetje. Më lejoni që në emër të LSI-së të mbaj këtë qëndrim zyrtar përsa i përket situatës në vazhdim në vendin tonë. Ngjarja shumë e rëndë e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit ka tronditur jo vetëm qytetarët shqiptarët, ku tregon pasigurinë, por ka tronditur, por ka tronditur dhe sigurinë në të gjithë rajonin. Sepse nëse një aeroport ndërkombëtar, i një vendi anëtar të NATO-s, mund të hyhet dhe mund të cenohet në mes të ditës nga bandat e krimit të organizuar është cenim i sigurisë kombëtare, por edhe cënim i sigurisë rajonale. Sot qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurt, sepse Aeroporti Ndërkombëtarë i Rinasit, që duhet të jetë vendi i parametrave më të larta të sigurisë, paraqitet si një objekt i atakueshëm nga kriminelët sa herë që u duhet atyre për ta atakuar këtë institucion, por edhe sa herë që atyre u duhen para për tu bërë gati përpara zgjedhjeve të rradhës. Ndihen më shumë të pasigurtë qytetarët shqiptarë sepse kanë përballë një qeveri, e cila në vend që të marrë përgjegjësitë e saj që rëndojnë mbi të, fillon dhe justifikohet si gjithmonë. U ikën përgjegjësive të saj me një sjellje, cila jo vetëm nuk inkurajon qytetarët, por i dekurajon ata, në mënyrë të tillë duke u dhënë forcë, pushtet dhe mbështetje kriminelëve të cilët nuk ndihen aspak të rrezikuar nga forca e ligjit, por ndihen të mbështetur dhe të përkrahur nga qeveria dhe policia e saj, e cila sot “merr përsipër” për të mbrojtur qytetarët shqiptarë. Qytetarët e thjesht ndihen krejtësisht të pasigurt, sepse nuk shohin askënd që të jetë larguar nga detyra, apo të jetë hetuar, apo të jetë thirrur nga Prokuroria. Por përkundrazi qytetarët shqiptarë shohin që arrestohen nga Prokuroria, thirren nga Prokuroria ata të cilët luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të cilat i kanë ndërtuar me gjak, me djersë dhe kanë mbi 27 vjet që i paguajnë taksa shtetit shqiptar. Të gjithë vazhdojnë t’ja hedhin fajin njëri-tjetrit, nga ministri, nga drejtorët, nga policia, nga konçensionarët e kështu me rradhë, duke bërë deklarata boshe dhe duke bërë demagogjinë e rradhës. Një ngjarje e tillë e rëndë, që përsëritet vazhdimisht në këto vitet e fundit sa herë që kriminelët duan të hyjnë, të sulmojnë dhe të grabisin, tashmë është bërë një provë e qartë e dështimit të qeverisë. E dështimit të kësaj qeverie, që nuk përfaqëson qytetarët shqiptarë, nuk përfaqëson as Partinë Socialiste, por përfaqëson bandat, krimin e organizuar, trafikun e drogës. Kjo qeveri tashmë nuk është gjë tjetër veçse një provë e pandëshkueshmërisë së të gjithë këqijave të këtij vendi, duke filluar nga varfëria, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar dhe nga kapja e shtetit në dorë të pesë vetëve, që në krye kanë kryeministrin e tyre Edi Rama. Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë më, “po ndodh kështu si në të gjithë botën”, “bëhen dhe filma dhe në Hollivud me ngjarje të tilla”. Shqiptarët meritojnë siguri, shqiptarët meritojnë vëmendje, shqiptarët meritojnë punë, shqiptarët meritojnë që fëmijët e tyre të jetojnë në Shqipëri, të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe ta kenë Shqipërinë shtëpinë e tyre.

Një polici tashmë e dorëzuar plotësisht, e çorganizuar përballë krimit dhe kriminelëve demostron jashtëzakonisht shumë, demostron rënien e shtetit dhe demonstron që një polici e tillë shërben bandave dhe nuk është më partnere e qytetarëve, nuk është më garantuese dhe rojtare e sigurisë së qytetarëve, por është kthyer në armike e qytetarëve dhe garanton dhe ruan krimin dhe bandat. Gjaku në fytyrën e qytetarëve të Bregut të Lumit është akuza më e madhe ndaj policisë së shtetit dhe ndaj kësaj qeveri të rënë. Protestat e banorëve të Unazës së Re për më shumë se pesë muaj është akoma një akuzë që qëndron dhe përballet përballë kësaj policie të ç’organizuar dhe kësaj qeverie grabitëse, që grabit pronat e qytetarëve, shtëpitë e qytetarëve për t’ja u dhënë bandave dhe trafikantëve për të pastruar paratë e tyre. Kjo gjë tashmë është bërë një provë, ku prona, liria dhe dinjiteti i shqiptarëve nuk është më vlerë për qeverinë, por përkundrazi këto virtyte tashmë janë kthyer në antivlera për qeverinë, ku për hir së të vërtetës këto janë vlerat e qytetarëve shqiptarë.

Shteti tashmë është vënë në dispozicion të krimit, trafiqeve dhe jo qytetarëve. Shteti nuk është më në vijë të parë në luftën kundër krimit të organizuar. Por është në vijë të parë në luftën kundër qytetarëve të saj, kundër protestuesve të thjeshtë. Shteti grabit miliona me konçesione, në vend që të shpenzojë miliona për të ringritur Policinë përballë një krimi të organizuar që fuqizohet gjithmonë e më shumë. Përballë një krimi të organizuar që është më i pasur, që ka më shumë para, ne kemi një polici dhe policë të cilët paguhen më pak se ç’janë paguar në këto 30 vjet tranzicion. Kemi një polici të demotivuar, pagesat e të cilëve janë në kushtet e mbijetesës njerëzore. Kemi një qeveri që sot i dëgjojmë që bëjnë deklarata qesharake ku ja hedhin fajin njëri-tjetri. Kemi një ministri të brendshme me një gjeneral që deklaron në Kuvend se është cënuar siguria, kemi dhe një ministri mbrojtje ku deklaron se nuk kemi cënim të sigurisë kombëtare. I vendosin shqiptarët përballë një gjeagjëze, e cila nuk ka zgjidhje kurrë. Por ka vetëm një përgjigje, kapja e shtetit. Kapja e shtetit është ajo e cila sot po jep efektet e saj. Sot Kuvendi ilegjitim do të miratojë një rezolutë, përsa i përket hapjes së negociatave. Në fakt ata deputetë që kanë pak dinjitet në atë parlament dhe ata me eksperiencë, të cilët e kuptojnë rrugën pakrye që i ka futur Edi Rama, duhet të qartësojnë përfundimisht nëse qeveria shqiptare i ka hapur negociatat apo jo.“- u shpreh ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb