BERLIN

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar për ngjarjen e sotme në aeroportin e Rinasit ku dyshohet se u grabitën 10 milionë euro. Nga Berlini, Balluku tha se grabitja e sotme është një ngjarje e rëndë dhe sistemi i sigurisë ka rënë përsëri. Balluku bën përgjegjëse kompaninë kineze që ka me koncesion Aeroportin e Rinasit.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet”, theksoi ministrja Balluku.

“Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq. Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë”, deklaron ajo.

“Fakti që aeroporti, njësoj si të gjithë aeroportet në Europë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit”, –shprehet Balluku.

Një shumë marramendëse, rreth 10 milionë euro dyshohet se janë grabitur sot rreth orës 15:00 në aeroportin e Rinasit, nga një avion që do të udhëtonte drejt Vjenës. Kjo është shuma paraprake e konfirmuar nga burime policore por ende jo zyrtare. Paratë i përkisnin disa kompanive të sigurimit të transportit dhe sapo ishin ngarkuar në avion kur u morën nga autorët. Dyshohet se autorët kanë qenë të veshur me rroba ushtarake dhe kanë grabitur një shumë rreth 10 milionë euro por kjo jo e konfirmuar.

Nën kërcënimin e armëve ata kanë marrë paratë dhe janë larguar menjëherë nga aeroporti por në ikje janë shkëmbyer me forcat e policisë duke i sulmuar me granata e kallashnikov. Policia është përgjigjur me zjarr dhe një prej grabitësve ka mbetur i vrarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb