TIRANË

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për të arrestuarin e shtatë në grabitjen e Rinasit, Hasan Kanaçi.

Gjykata vendosi masën “arrest me burg” për Kanaçin. Në banesën e tij janë gjetur shuma parash, të dyshuara nga grabitja në Rinas.

Hasan Kanaçi është arrestuar si bashkëpunëtor i grabitësve dhe është një pjesëtar i stafit në pjesën cargo (zona ku përpunohen mallrat dhe lekët e bankave). Dyshohet se personi ka njoftuar për futjen e parave në pistë, orarin dhe lëvizjet.

Prokurorët e kësaj dosjeje prej katër ditësh janë duke marrë në pyetje pjesëtarë të stafit në aeroport dhe kompanisë së sigurisë në aeroport (ICTS). Nga ky hetim është zbuluar edhe përfshirja e personave të tjerë të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Në grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill u morën miliona euro në vetëm pak minuta, teksa grabitësit u futën në pistë me një fugon të modifikuar ‘hetimi tatimor’. Pas largimit të grabitësve gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë u vra Admir Murataj i cili dyshohet se ishte edhe organizatori i kësaj vjedhje spektakolare.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb