TIRANE

Ish-deputetja e LSI-së Silvia Caka kërkon shkarkimin e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe atij të Brendshmit, Sandër Lleshaj. Përmes një postimi “Facebook”, Cakaj shkruan se pas grabitjes së 9 prillit është cënuar rëndë siguria kombëtare.

Ndër të tjera, ish-deputetja shprehet se injorimi i ngjarjes nga Kuvendi i Shqipërisë, fakton edhe një herë faktin që është ilegjitim dhe se Policia e Shtetit është e paaftë për menaxhimin e situatës.

“Të shkarkohen Sandër Lleshaj dhe Olta Xhaçka!

Neni 173 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë:

” Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë.”

Së pari, siguria kombëtare është shkelur rëndë me ngjarjen e datës 9 prill dhe për këtë arsye do duhej të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme, të paktën në zonën ku pozicionohet Aeroporti i Rinasit, siç parashikohet në pikën 1 të nenit të mësipërm;

Së dyti, ndërhyrja e strukturave të Forcave të Armatosura në një aeroport civil (jo ushtarak), pa shpallur më parë gjendjen e jashtëzakonshme, është shkelje e rëndë e Kushtetutës;

Së treti, injorimi i Kuvendit të Shqipërisë, nuk bën gjë tjetër përveçse fakton edhe një herë, që ai Parlament është ilegjitim dhe këtë e dinë edhe anëtarët e tij, që mbajnë edhe postin e Ministrave;

Së katërti, ndërhyrja e strukturave të Forcave të Armatosura, ndodh kur policia e shtetit nuk është në gjendje të rivendosë rendin. Me këtë urdhër, Ministrja e Mbrojtjes, vetëm sa faktoi që forcat e Policisë së Shtetit, janë të paafta për menaxhimin e situatave të tilla;

Së pesti, paaftësia e forcave të Policisë së Shtetit, në parandalimin dhe trajtimin e kësaj ngjarjeje, do duhej të pasohej urgjent me dorëheqjen ose shkarkimin e Ministrit të Brendshëm (i cili jo rastësisht është edhe ish-ushtarak);

Së fundi, vendimi i Ministres së Mbrojtjes, për të vendosur Policinë Ushtarake dhe Batalionin Special të Forcave të Armatosura në Aeroportin Kombëtar të Rinasit, pa qënë në gjendje lufte, apo pa shpallur më parë gjendjen e jashtëzakonshme, është në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe për këtë arsye, ajo duhet të shkarkohet!!!”-shkruan Cakaj.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb