Gjatë interpelancës së kërkuar në Kuvend për grabitjen e rreth 10 milion eurove në pistën e aeroportit të Rinasit nga një grup prej 5 personash, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj veshi edhe njëherë me përgjegjësi kompaninë koncesionare.

Por pavarësisht kësaj, ai tha se ka shpresë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë së të gjithë autorëve të grabitjes.

“Çështja e sigurisë në Rinas ka qenë problematike, edhe në 4 maj 2018 është bërë objekt i një mbledhje të Këshillit të Sigurisë. Vazhdimisht janë bërë vërejtje ndaj TIAqë lidhen me portat që nuk sigurojnë parametrat e sigurisë, rrethimi i jashtëm pa sensorë, shumë kamera janë jashtë funksionit, zona e tranzitit me probleme, pista e pandriçuar mirë. Menjëherë pas ngjarjes janë marrë disa masa të menjëhershme. Komisariati i Policisë në Rinas ka marrë përgjegjësi për drejtimin operacional të kësaj kompanie sigurie ICTS, e cila ka humbur besueshmërinë tonë. Është forcuar patrullimi si brenda ashtu dhe jashtë aeroportit. Kemi marrë në dorë kontrollin e kamerave në Rinas”,- tha Lleshaj.

Ministri u shpreh ndër të tjera se nuk ka vend për panik, pasi pas kësaj ngjarje sigurua e aeroportit është e garantuar.

“S’kemi pas njoftim nga ata që duhet ta kishim, por prapë ndërhymë. Ka pasur përplasje me armë, ka mbetur një i vrarë. Ka qënë një krim i organizuar mirë, ka pasur përpjekje për të devijuar vëmendjen e policisë së shtetit. Pas kësaj anë hyrë brenda një tuneli ushtrie të braktisur. Megjithatë kemi besim se ngjarja do zbardhet plotësisht. Dua të them se nuk kemi të bëjmë me një rast të thjeshtë. Autorët ishin profesionistë, kanë shpërthyer edhe një burg në një nga vendet e BE. me të gjitha masat e marra i garantoj qytetarët se situata në aeroport nuk është apokaliptike. Sigurua e aeroportit është e garnatuar”,- theksoi Lleshaj.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb