TIRANE – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nuk ka asnjë koment në lidhje me grabitjen spektakolare të parave, një ditë më parë në Rinas. Drejtoresha e komunikimit në TIA Arlinda Çausholli thekson se në respekt të hetimeve rreth ngjarjes, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nuk ka koment.

“Duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e ngjarjes dhe në respekt të hetimeve rreth saj, TIA nuk ka koment. Çmojmë mirëkuptimin publik dhe mediatik për këtë qëndrim.”, deklaroi Çausholli.

Një shumë e konsiderueshme parash të një banke të nivelit të dytë u grabit dje në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, teksa do të transportohej jashtë Shqipërisë me avion.
Dyshohet se autorë të kësaj ngjarjeje kanë qenë tre persona të maskuar e të armatosur. Grabitja ndodhi në pistën e aeroportit, edhe pse dy ditë më parë policia njoftoi se në aeroport kishte rritje të parametrave të sigurisë, pas sulmeve terroriste të ndodhura në Stamboll.

Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shtetit tha zyrtarisht se grabitësit mundën të hynin me makinë në pistën e aeroportit duke prerë menteshat e një prej portave hyrëse. Pas grabitjes së parave, autorët i vunë flakën dhe e braktisën makinën në Fushë Prezë.
(er.nu/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: