TIRANË
Këta janë tre prej personave të ndaluar sot nga policia si bashkëpunëtorë të grabitësve të miliona eurove nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas. Konkretisht Alkond Bengasi, Saimir Çela dhe Renaldo Sula.
Policia goditi grupin e strukturuar kriminal që realizoi grabitjen më 9 prillit, duke arrestuar shtetasit Alkond Bengasi, Saimir Çela, Renaldo Sula nga Elbasani dhe Oltian Veseli nga Fushë Kruja. Aksioni policor u zhvillua të dielën qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij.
Përveç 4 të ndaluarve që po merren në pyetje mëson se dyshohet të jenë edhe të paktën 4 persona të tjerë që kanë ndihmuar në organizimin e saj.
ROLET
Gazetarja Klodiana Lala ka zbërthyer për “BalkanWeb” edhe rolin që kishin 4 të ndaluarit Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltjan Veseli dhe Saimir Çela. Dy prej të ndaluarve, dyshohet të kenë punuar për modifikimin e furgonit me të cilin u krye supergrabitja. Ata e kanë modifikuar në pjesën e përparme dhe i kanë ndryshuar ngjyrën, e kanë lyer me të bardhë si dhe i kanë vënë mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Dy personat e tjerë Oltjon Veseli nga Fushë Kruja mësohet të ketë ndihmuar grabitësit të largohen nga vendi i ngjarjes me një furgon të dytë. Po ashtu edhe personi i katërt i përfshirë në grabitje është nga Fushë Kruja dhe dyshohet të ketë ndihmuar në grabitje.
Por në duart e policisë nuk është asnjë prej personave që shpërthyen rrethimin e aeroportin dhe ekzekutuan grabitjen spektakolare. Megjithatë në kërkim janë shpallur Klement Çala dhe vëllai i tij, Eldi Çala si dhe dy persona të tjerë.
Klement Çala njihet për lidhjen miqësore me Admir Muratajn, pasi u arratisën së bashku nga burgu i sigurisë së lartë në Trikalla të Greqisë në 2013. Përgjimet telefonike ndihmuan hetuesit të drejtonin sytë nga eksponentë të botës së krimit në Elbasan dhe të binin në gjurmët e një servisi.
(BalkanWeb)