Oltian Veseli, një prej të dyshuarve si autor i megagrabitjes në pisën e Rinasit refuzon prokurorinë, duke mos pranuar të japë material biologjik për ndërtimin e profilit të AND-së. Kjo do të ishte prova më e fortë kundër tij, nëse profili i tij do të përputhej me atë të përftuar nga gjurmet e gjetura në furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, me të cilin grabitësit hynë në aeroport.
Sipas ligjit, prokuroria duhet të marrë përlqimin e të pandehurit apo të dyshuarit, për marrjen e kampioneve biologjike. Burimet nga prokuroria bëjnë te ditur se gjashtë nga të arrestuarit mes tyre edhe i penduari i drejtësisë. Alkond Bengasi apo shtetasi nga Kosova, Ragip Hajdini, i njohur me nofkën “Daja”, kanë pranuar të japin gjurmë të pështymës, sipas urdhërimit të prokurorisë.
I vetmi që nuk e ka dhënë pëlqimin, është Oltian Veseli, për arsye që ende nuk dihen. Në një nga seancat gjyqësore, përmes avokatit të tij, Veseli ka kundërshtuar këtë veprim të institucionit të akuzës, duke deklaruar se nuk është kavie eksperimentale, sepse ai pretendon se kampionët e pështymës i janë marrë në polici, menjëherë pas arrestimit.
Për këtë shkak, ai thotë se nuk mund të kryhet e njëjta procedurë sa herë që duan institucionet. Në kushtet e refuzimit, Prokuroria do të duhet t’i drejtohet Gjykatës për Krime të Rënda, e cila merr vendim dhe urdhëron të dyshuarit të kryejë procedurën ligjore.
Prokuroria tha se përmes krahasimit të profileve të ADN do të mund të përcaktojë në mënyrë shkencore, se kush nga të dyshuarit ka hyrë i armatosur në brendësi të aeoportit, ku në barkun e një avioni që do të nisej në fluturim drejt Vjenës, grabitën miliona euro. dyshimet janë se në pistën e Rinasit, kanë hyrë të paktën pesë persona, mes tyre dhe Admir Murati, që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa të tjerët kanë patur rolin e ndihmësit.
Anëtarët e bandës u identifikuan pas rrëfimit të Alkond Bengasit, i cili mori statusin e të penduarit të drejtësisë. Në kërkim për ngjarjen vijojnë të jenë Klememnt Cala, i cili njihet për rekordet kriminale në fushën e vjedhjes së bankave në Greqi e Shqipëri, vëllai i tij, Eldi Cala dhe Talo Cela.
(BalkanWeb)