TEPELENË

Gjatë natës së djeshme qyteti i Tepelenës ka rënë pre e grabitësve, të cilët kanë hyrë një supermarket, një shtëpi dhe një dyqan që shiste bulmet.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rasteve dhe vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia ka ngritur pika kontrolli, por pa rezultat deri në këto momente.

Burime nga policia pohojnë për gazetaren e “BalkanWeb”, Brikena Metaj se personat që grabitën subjektet dyshohet se kanë qenë pa maska. Nga të dhënat paraprake nuk bëhet me dije se sa mund të jetë dëmi i shkaktuar, por dyshimet e para janë për një grup adoleshentësh problematikë, që janë prej kohësh nën vëzhgimin e policisë.

Këta kanë hyrë brenda subjekteve duke thyer xhamat, ndërsa prej dyqanit të shumicës kanë marrë një sasi cigaresh kurse në dyqanin e ëmbëlsirave kanë marrë një sasi prej 20 mijë lekësh.

Kujtojmë se një tjetër grabitje u shënua në orën e para të mëngjesit të sotëm në Lushnje, ku 4 persona të maskuar grabitën dhe thyen një argjendari duke marrë një shumë parash prej 100 milionë lekësh.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb