Partizani në nëntë javë të luajtura në Kate gorinë Superiore, me jo pak vështirësi ka arritur të zërë vendin e parë me 16 pikë të fituara, një më shumë sesa Egnatia, rivali më i afërt. Të kuqtë, pavarësisht se janë në krye, nuk kanë arritur të tregojnë një nivel dukshëm më të mirë se kundërshtarët që kanë pasur përballë, me përjashtime të veçanta.

“Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim të gjerë gjithë statistikave të skuadrës, duke u bazuar në vlerësimet e bëra nga “Sofascore”. Të kuqtë nuk arrijnë t’i dominojnë kundërshtarët, por konsiderohen një ekip gjuajtës. Sembene është i pakalueshëm dhe “kirurgjikal” në pasime, ndërsa Rrapaj duket të jetë lideri i heshtur i Partizanit të ri.

JO DOMINUES – Të kuqtë janë një nga skuadrat me elementët më të spikatur të Superiores në vitet e fundit, por kjo nuk e ka ndihmuar të dominojë ndeshjet dhe të qarkullojë topin në mënyrë të dukshme më shumë se kundërshtarët. Siç shihet në tabelën në krah, të kuqtë kanë shifra thuajse të barabarta me kundërshtarët sa i përket mbajtjes së topit, por ka edhe përjashtime. Pavarësisht se e ka humbur, ndeshja e javës së parë kundër Vllaznisë, ka qenë sfida më e dominuar nga ana e Partizanit sa i përket mbajtjes së topit, me plot 72%.

Në këtë ndeshje të kuqtë kompletonin edhe plot 495 pasime, që është rekord më vete. Çka përbën ironi të fatit është fakti se të kuqtë sfidën më të dobët sa i përket qarkullimit të topit kanë atë kundër Egnatias, të cilën e kanë fituar. Skuadra e Veselinoviçit e mbante topin 37% dhe kompletonte vetëm 282 pasime, por fitonte 0-2.

STATISTIKAT

POR CINIK – Pavarësisht se nuk e mban topin saç pritej, Partizani mund të konsiderohet një skuadër cinike dhe “gjuajtëse”. Të kuqtë arrijnë ta godasin portën me një mesatare prej plot 13.1 herë për ndeshje. Sa i përket saktësisë, Veselinoviç duhet të studiojë për përmirësimin e shënjestrës së sulmuesve, pasi të kuqtë dërgojnë në portë mesatarisht 5.75 (43.8%) gjuajtje për ndeshje, nga të cilat 1.25 arrijnë t’i dërgojnë në rrjetë, që përkon me afro 22% të gjuajtjeve që shkojnë në kuadrat dhe 9.5% të totalit drejt portës.

MBROJTJA – Pavarësisht kësaj, të kuqtë kanë mundur të fitojnë më shumë pikë sesa rivalët, ndikuar edhe nga mbrojtja, që ka pasur luhatje, por ka ardhur në rritje e sipër. Skuadra që e ka sulmuar më shumë Partizanin është Dinamo me 16 gjuajtje drejt portës, por vetëm 4 prej tyre kanë shkuar në kuadrat. Porta e Qirkos goditet mesatarisht 3.9 herë për ndeshje, teksa në total drejt katërkëndëshit shkojnë 9.75 gjuajtje për çdo 90 minuta. Skuadrat ndaj të cilave Partizani ka bërë më mirë në mbrojtje janë Bylisi dhe Tirana me nga 5 gjuajtje drejt portës dhe 3 në kuadrat.

SEMBENE DHE RRAPAJ– Senegalezi mund të konsiderohet “shtylla” e Partizanit në këtë sezon, pasi po tregon çdo ditë e më shumë siguri. Në një vëzhgim të bërë, sipas “Sofascore”, Sembene është mbrojtësi i vetëm titullar i Partizanit, që nuk është dribluar asnjëherë në tetë ndeshje. Nga ana tjetër, ai është lojtari që mban rekordin për më shumë pasime në një ndeshje, plot 80 të sakta, nga 81 total kundër Bylisit.

Nga ana tjetër, Rrapaj është lideri i madh i Partizanit. Vlonjati është shpallur si lojtari më i mirë në plot pesë nga tetë në total. Për tu shënuar është fakti se ndeshja e fundit kundër Elbasanit nuk përfshihet në këto statistika, pasi ende nuk është azhurnuar në total.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb