NGA SHKËLZEN HENKOJA*

GRAMSH- Është 18 vjeçe, por prej disa vitesh vuan nga një tumor në kokë. Ky është realiteti i trishtë me të cilin përballen Geralda dhe anëtarët e tjerë të familjes Zogu në fshatin Gjergjovinë të Gramshit, të cilët jetojnë në një ndërtesë që dikur ka shërbyer si stallë bagëtish.

Geralda kreu ndërhyrjen e parë kirurgjikale rreth 4 vite më parë, e prindërit e përballuan duke shitur bagëtitë që kishin, ndërsa gjendja shëndetësore e vajzës u përkeqësua dhe ajo iu nënshtrua një tjetër operacioni rreth një muaj më parë. Sëmundja i ka hequr aftësinë për të folur 18-vjeçares.

Për shkak se kërkon kushte të veçanta prindërit e kanë larguar nga spitali e kurën me serume dy herë në ditë e vijon në shtëpi, në këtë ndërtesë thuajse të rrënuar, e ku mbizotëron lagështira. Prindërit deklarojnë se janë zhytur në borxhe e nuk përballojnë dot më shpenzimet, që janë kthyer në shuma marramendëse.

Nëna e 18-vjeçares deklaron se u është dashur të blejnë 6 cikle kimioterapie. Kanë kërkuar vazhdimisht ndihmë te bashkia e Gramshit, por kanë hasur vetëm indiferencën.

Apeli për ndihmë ndaj familjes Zogu vjen edhe nga të afërm të tyre. Mes librave dhe kujtimeve në foto, Geralda ka lënë përgjysmë edhe ëndrrën për tu bërë një mësuese.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: