GRAMSH- Një bari në moshën e një adoleshenti 17 vjeç u sulmua mesditën e sotme nga një ari ndërsa po kulloste bagëtitë në malin e fshatit Kabash në komunën e Poroçanit në rrethin e Gramshit. Burime zyrtare raportuan se i riu me inicialet F.H ka rënë nga lartësia e një shkëmbi në humnerë ndërsa tentonte ti shpëtonte sulmit të egërsirës. Ai si rezultat i rënies nga lartësia ka pësuar plagë të shumta dhe me rrezik për jetën e tij .

Incidenti i pazakontë i bariut adoleshent me egërsirën ka tmerruar bashkëmoshatarët e tjerë të tij që ndodheshin në pyllin e Kabashit duke kullotur bagëtitë. Ata kanë sinjalizuar të afërmit e tyre për ngjarjen e tmerrshme , ndërsa këta kanë sinjalizuar policinë si dhe kanë kërkuar ndihmën e shërbimit të urgjencës të spitalin të Gramshit Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar një autoambulancë e cila i ka dhënë ndihmën e shpejtë 17 -vjeçarit.

Ndërkohë raportohet se në vendin e ngjarjes ka mbërritur një helikopter i cili ka bërë të mundur transportimin e bariut adoleshent drejt spitalit të Tiranës ku edhe do të marrë një ndihmë më të specializuar. Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë si pasojë e goditjes së putrave të ariut në pjesë të ndryshme të trupit, por edhe nga rënia e një lartësia prej rreth 40 metrash në humnerë. Zona e pyjeve të Gramshit njihet për praninë e ariut, por mesa duket i riu ka tentuar të largohet në thellësi të pyllit bashkë me bagëtinë e tij, ku edhe është sulmuar nga ariu.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: