GRAMSH- Një krim makabër brenda familjes ka ndodhur ditën e sotme në rrethin e Gramshit. Alketa Llapushi, 34 vjeç, nënë e dy fëmijëve është mbytur me duar nga bashkëshorti i saj Agron Llapushi, 39 vjeç, pas një sherri për motive xhelozie.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Çekin, rreth orës 15:30, ndërsa kanë qenë fqinjët që kanë dhënë alarmin dhe kanë njoftuar policinë e Gramshit. Forca të shumta të këtij Komisariati por edhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë arrestimin e autorit, ndërkohë që po kryejnë hetimet për zbardhjen e rrethanave. Paraprakisht nga këqyrja e trupit të viktimës rezulton se gruaja është qëlluar me sende të forta dhe më pas është mbytur. Gjithsesi trupi i 34-vjeçares është dërguar në morg ku do ti nënshtrohet ekspertizës së mjekëve ligjorë.

Babai i autorit të ngjarjes së rëndë të shënuar sot në Gramsh tha se është i shokuar nga veprimi i të birit. Teksa ka nënvizuar se familja e tij nuk kishte parë me herët shenja të ndonjë marrëdhënieje të acaruar mes çiftit. Për djalin e tij, Mersin Llapushi tha se kishte tre dite që ishte kthyer nga emigracioni, nga Greqia. Sipas tij, Agroni shkonte çdo dite me te shoqen, ne are, e cila ishte shumë larg nga shtëpia e tyre.

“Djali ka tri ditë që ka ardhur nga emigracioni, Greqia. Gjërat shkonin mirë, se kuptoj si ndodhi…shkonin përditë punonin në arë, iknin në mëngjes dhe vinin në darkë…Ara është shumë larg shtëpisë…ne e kemi marrë vesh kur jemi lajmëruar nga policia që si fillim i kishte gjuajtur me bel dhe pastaj e ka mbytur dhe ka shkuar është vetëdorëzuar në polici…jemi të shokuar, nuk e dimë si ka ndodhur…Tek ne s’kishin shprehur acarime dhe konflikte”,­ ka thënë babai i autorit.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: