Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Gazetaren Nisida Tufa në News24, foli në lidhje me “Grantin 2025” dhe sqaroi specifikat e kësaj nisme të ndërmarrë në ndihmë të biznesit.
Ministrja deklaroi se në dispozicion të aplikantëve janë 300 milionë lekë, ndërsa mundësinë për të aplikuar e kanë të gjithë, që nga ata që janë thjeshtë në fazën e një ideje të një produkti aspo shërbimi inovator, deri te bizneset të cilat operojnë në treg por që synojnë zgjerimin apo edhe kalimin në një biznes që ofron produkte dhe shërbime në tregun ndërkombëtar.
“Kemi shpallur thirrjen për grantit 2025 dhe do të mbyllet ditën e fundit të vitit.
Janë 300 milionë lekë në dispozicion të start up-eve. Uroj që të ketë një numër të lartë aplikimesh. Kemi një eksperiencë të po këtij viti, ku edhe vlera ishte e njëjtë , pra 300 mln Lekë.
Numri i aplikuesve ishte më shumë se 500 dhe kemi financuar 94 start up-e në shumë sektorë.
Ka shumë nga ata që nuk plotësuan kriteret herën e parë që do të riaplikojnë tashmë.
Mund të aplikojë çdo individ që ka një ide, çdo biznes që ka nisur të zhvillojë një produkt apo shërbim inovativ dhe çdo biznes që ka më pak se 6 vite në treg e do të rrisë fazën e tregtimit apo do të ndërkombëtarizohet.
Kemi tre tavane për masat që mund të financohen, idetë, pra kur ende nuk e ke një biznes të regjistruar mund të financohesh me 15 mijë euro, financim 100 përqind pasi mendojmë se është faza që ke më shumë nevojë për mbështetje. Fasha e dytë është deri në 45 mijë euro dhe e treta deri në 90 mijë euro”, tha ajo.
Ibrahimaj nënvizoi nevojën që bizneset shqiptare të jenë të orientuara drejt ndërmarrjeve të gjelbra dhe digjitalizimit.
Sipas saj, 30 përqind e grantit është e përcaktuar për investime në ndërmarrje të gjelbra apo digjitale, pikë e cila lidhet edhe me reformat që po merren me BE në kuadër të rritjes.
“Kemi vendosur një masë për 30 përqind të fondit që do të shkojë në investime në ndërmarrje të gjelbra apo digjitale. Kjo është në lidhje me reformat që po ndërmarrim edhe me BE lidhur edhe me planin e rritjes. Shumë e rëndësishme që ndërmarrjet në Shqipëri të kenë një qasje drejt qendrueshmërisë së inovacionit dhe digjitalizimit.
Shpresoj të shkojnë në sektorë që kanë nevojë për rritje të produktivitetit.
Kemi përcaktuar disa fusha që janë prioritare që janë të bazuara në strategjinë Smart Specialisation ku identifikohen sektorët që kanë më shumë nevojë për inovacion si turizmi energjia dhe bujqësia.
Kanë nevojë për automatizim dhe bashkëpunim me sipërmarrjeve”, ka sqaruar ministrja.
Ibrahimaj ka sqaruar se bashkëpunëtorë në projekt janë Bashkimi Europian, pasi projekti është “You for Inovation” është i financuar nga Unioni, si dhe Banka Botërore e cila ofron mbështetje me ekspertizë teknike për nxitjen e sipërmarrjes inovative dhe kuadrin ligjor.
(BalkanWeb)