Kur po bëhet gati një muaj që protesta e opozitës, përplasjet për çadrën e vendosur poshtë godinës së Kryeministrisë kanë filluar të shtohen. Një përplasje virtuale ka ndodhur sot mes grave të PS dhe PD.
Ka qenë Sekretarja për Rininë në PS, Elisa Spiropali, ajo e cila ka shkruar fillimisht për çadrën e protestës. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ajo thotë se çadra e PD-së simbolizon “kaosin dhe frikën nga rendi”.


“Shqipërisë i duhet të zgjedhë mes mbetjes përgjithmonë në çadrën e errët ose daljes në dritën e shfrytëzimit të mundësive historike për përparim dhe zhvillim. Çadra është frika nga Rendi. Çadra është kaosi. Çadra është parazitizmi që refuzon konkurencën, injoranca që nuk do sfidën, asfiksia që nuk pëlqen ajrimin, nepotizmi dhe klani që refuzon meritën, padrejtësia që pret shenjtnimin, çadra është Shqipëria që endet në humnerat e vetëvrasjes pa e ditur se ka një rrugë shpëtimi.


18 qershori vulos fatin e Shqipërisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë kthim mbrapa. Shqipëria do bëhet. Edhe për inat të çadrës ogurzezë. #MeEdiRamën #PërShqipërinë”, shkruan Spiropali në rrjetin social “Facebook”.


Pas kësaj, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Koordinatores për Mediat në PD, Silvi Bardhi. Po përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Bardhi shkruan se

“Të dashur shqiptarë! Të dashur protestues! Të djathtë! Të majtë!
Ju që besoni vërtet se Rilindja është një gënjeshtër, një mashtrim, një hajni e sofistikuar nën aureolën e propagandës. Ju që e kuptoni se Shqipërinë po e drejtojnë njerëz që duan pushtetin në këtë vend, jo të ardhmen e saj.

Ju që fëmijët dhe të afërmit tuaj kanë ikur nga Shqipëria, sepse këtu nuk ka punë, nuk ka mirëqenie, nuk ka të ardhme. Ju që besoni se ka ende shpresë!

Ju që jepni çdo orë nga dita juaj, çdo ditë nga jeta juaj dhe frymoni në Çadrën e Lirisë! Ju që nuk keni më frikë nga diktatorët e rinj! Ju që e përçmoni arrogancën, gënjeshtrën, hajninë! Ju që po i jepni jetë nga dita në ditë Sheshit të Lirisë! Ju që flisni çdo ditë, e zëri juaj shkon e depërton përtej mureve të kryeministrisë! Ju shqiptarë që keni sot pushtetin!

Për Elisa Spiropalin, njeriun që turpi duhet ta zërë kur del në publik, shqiptarët janë kaos, parazitë e ogurzinj. Mëshiruese!”, shkruan Silvi Bardhi, teksa reagimit të saj i bashkëngjit deklaratën e Spiropalit.

(el.sp/BalkanWeb)