Administrata e Arabisë Saudite njoftoi se, për herë të parë në historinë e vendit, ka filluar zbatimi i rregullores e cila parashikon që gratë të mund të udhëtojnë jashtë vendit pa lejen e meshkujve.


Sipas njoftimit të agjencisë së lajmeve të Arabisë Saudite, SPA, të bazuar në një zyrtar të Ministrisë së Brendshme, rregulloret në fjalë kanë filluar të zbatohen në mbarë vendin.


Zyrtari theksoi se “ata që kanë pyetje në lidhje me rregulloret e reja duhet të drejtohen tek autoritetet përkatëse”.


Sipas dekretit të publikuar në Gazetën Zyrtare në Arabinë Saudite më 2 gusht, ishte paraqitur që “grave t’u njihen të drejtat për të nxjerr pasaportë dhe të udhëtojnë jashtë vendit ashtu siç u njihet edhe meshkujve, pa lejen e kujdestarëve të tyre meshkuj si baballarët, bashkëshortët, vëllezërit edhe djemtë e tyre”.

Para rregullores në fjalë gratë (pa marrë parasysh se në cilën grup moshë bëjnë pjesë) dhe meshkujt nën 21 vjeç duhej të merrnin leje nga kujdestarët e tyre për të mund të udhëtuar jashtë vendit.

Gjithashtu me të njëjtën rregullore adresa e vendbanimit të grave të martuara nuk është e detyrueshme të jetë njësoj me atë të bashkëshortit, si dhe për herë të parë u njihen të drejtat si nxjerrja e dokumenteve zyrtare të lindjes, martesës, ndarjes dhe të tjera si dhe marrja e kujdestarisë së fëmijëve të tyre të vegjël.