NGA Fatmira Nikolli

Një ushtri shigjetash kalojnë tri ambiente. Të mbetura pezull në ajër mes tavanit e dyshemesë nga ku buron drita, shigjetat “kalojnë” muret për të mbërritur po pa e prekur një tullumbac të madh, të bardhë, që pothuaj bashkon ‘tokën me qiellin’. E bardha e mureve shkrihet me tullumbacen, tavanin e dyshemenë, duke njësuar ambientin me veprën dhe duke kërkuar “Fidem” në këtë ekspozitë të parë. Një ushtri shigjetash që lënë të ndrijë e bardha në FAB.

“Unë po mbaj një fjalë, që besoj se lidhet me punën që kam bërë. Është pak e gjatë, në qoftë se keni durim ta dëgjoni. Artisti është krijues i gjërave të bukura. Të zbulohet arti dhe të fshihet artisti, ky është qëllimi i artit. Kritiku është ai që mund të përkthejë në një tjetër mënyrë apo në një tjetër material përshtypjet që shkaktojnë tek ai gjërat e bukura”.

Greg Rama ka emocione në ekspozitën e tij të parë personale. Duart i dridhen kur flet para një publiku që ndjek jetën artistike kryeqytetase e më gjerë. Në galerinë FAB ka dhjetëra të pranishëm, nga skena e artit pamor e jo vetëm. Me kërshërinë për të parë të parën punë serioze të artistit të ri, që vjen në të dytën përballje me publikun, nëse llogarisim si të parën një punë të ekspozuar të Berat tri vite më parë në festivalin multikulturor. Pos të tjerash, kërshëria shtohet kur ke të bësh me djalin e kryeministrit, çka nuk shmanget e nuk mund as ta ndash birin nga i ati, qoftë edhe për faktin se të dy kanë ndjekur rrugën e artit, duke u bërë tri breza.

Ai ngjan hermetik, por është krejt i qartë në mesazhin që jep.
“Mënyra autobiografike është forma më e lartë e kritikës, por edhe forma më e ulët. Ata që gjejnë shpjegime të shëmtuara për gjërat e bukura janë të korruptuar, pa qenë dot tërheqës për askënd. Ky është një gabim i madh. Ata që gjejnë shpjegime të bukura për gjërat e bukura janë njerëzit e kultivuar. Nga këta njerëz ne nuk duhet të humbasim shpresën. Ata për të cilët gjërat e bukura nuk nënkuptojnë gjë tjetër veçse bukurisë, ata janë të përzgjedhurit”, tha Gregu. Për të nuk ekziston një vepër arti morale apo imorale, sepse një vepër arti është e realizuar mirë ose jo dhe vetëm kaq. “Urrejtja e shekullit tonë për realizmin është tërbimi që ndjen një kanibal kur shikon fytyrën e tij në pasqyrë. Urrejtja e shekullit tonë për realizmin është tërbimi që ndjen një kanibal kur nuk shikon fytyrën e tij në pasqyrë. Jeta morale e një njeriu përbën zakonisht temën mbi të cilën artisti punon, por me realitetin në art nënkupton përdorimin perfekt e një mjeti jo perfekt”, u shpreh Greg Rama. Ai mendon se nuk ka artist që dëshiron të dalë ku të dalë. Për të edhe gjërat e vërteta mund të provohen. “Asnjë artist nuk ka simpati për etikën. Te një artist simpatia për etikën është një mënyrë sjelljeje e pafalshme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Artisti nuk është asnjëherë i brishtë, artisti mund të shprehë gjithçka. Mendimet dhe gjuha janë për artistin mjetet e punës me të cilat ai krijon artin e tij”, shqiptoi Greg Rama para të pranishmëve. Shtoi se në pikëpamjen e formës, mënyra e të shprehurit më e drejtpërdrejtë në të gjitha artet është loja e muzikantit. Ndërsa në pikëpamjen e ndjesisë është ajo e aktorit. “Çdo art është njëkohësisht sipërfaqe dhe simbol. Ata që zhyten poshtë sipërfaqes e bëjnë këtë në rrezikun dhe në dëmin e tyre. Ata që përpiqen të deshifrojnë simbole e bëjnë po këtë gjë në dëmin dhe në rrezikun e tyre. Mendimet e ndryshme dhe të shumta që sjell një vepër arti provojnë që kjo vepër është diçka e re, komplekse dhe me rëndësi jetësore”, tha Greg Rama në një fjalim, që ngjante si një traktat për artin. Në këtë vazhdë shtoi se kur kritikët janë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, artisti është në mirëkuptim të plotë me veten e tij. “Dikujt mund t’i falet prodhimi i një gjëje pa vlerë, fill në çastin kur ai nuk e adhuron këtë gjë. I vetmi justifikim që mund të përdoret për diçka pa vlerë është që dikush e adhuron këtë gjë me gjithë shpirt. Arti është pa vlerë”, e mbylli ai fjalën e tij.

Kuratori
Për kuratorin Vladimir Myrtezai, ekspozita sjell disa koncepte. “Besim, komunikim i hapur dhe afrimitet është një trekëndësh, që shënjon një territor të personalizuar për artistin e ri Greg Rama, i diplomuar pak vite me parë në Universitetin e Arteve në Tiranë. Si përpara çdo subjekti, në trokitjet e para për t’u identifikuar, autori i kësaj ekspozite shpall sfidën e tij për të dalë përpara publikut, duke na kujtuar kështu ngërçin e madh të hapit të parë që përjeton çdo artist”, thotë Myrtezai. Sipas tij, përpos trashëgimisë familjare, ai përballet po aq edhe me nevojën për një stacionim të mendimit dhe aktit krijues, duke u besuar më shumë ndijimeve dhe përvojave personale si conditio sine qua non për krijimtarinë.

Besimi i hapur mbi çfarë mund të gjente në korrentet e eksperimentit shoqëruar me një intuitë premtuese që e lidh artistin me shenjën, tingullin dhe dendësinë e formës me të cilën afrohet, i hapin atij një rrugë të qenësishme ku përfshihet të besojë. Myrtezai veçon se përmes lojës me hapësirën, ai ndërton një ekuilibër mes konceptit dhe trupëzimit të një energjie, që e identifikon duke i hequr gravitetin arkitektonik mediumit, duke përdorur po aq edhe një lloj transfigurimi thjeshtëzues drejt trajtave elementare e parake.

“Pika, vija, rrafshi, mungesa e gravitetit bashkërendohen për të (ri)lexuar konceptin e një ndërhyrje hapësinore, jo më si një ngjarje lineare, por me asociime qëndrimesh të aksidentuara e vertikale, duke na afruar atë përvojë që mund ta quajmë vëllim i shformuar elementesh ose energji e kulluar pastër. Perceptimi është i pakohë dhe larg analizës së zhvendosur në kohë, sepse koha në këtë rast ekziston vetëm si një element i qëruar nga rrethanat tipizuese, duke shfrytëzuar ecejaket e një ndjeshmërie të veçuar”, shkruan kuratori i “Fidem”.

Për të, artisti është i vetëmjaftueshëm në elemente krejt të thjeshtë, por shumë pranë një sinkroni energjish që zhbën narrativen apo rrethanën site-specific, autori krijon veprën dhe gjuhën e saj në të njëjtën kohë. Greg Rama ka një shprehi të “lindur”, në afri me fjalën, të shkruarit dhe komunikimin, ndaj dhe shfaqja e tij e parë nën kupolën “Fidem” – “Besim”/”Vërtetësi” përvijon një lëvizje komunikuese nëpërmjet një mediumi, i cili përfshin hapësirën ku ai zhvendos strukturën e tij. Fuqia e interpretimit dhe e asociimit krijon një territor kulturor të ndërmjetëm ku frymon ndjeshmëria e artistit. “Autori e ndjen veten në rrokullimat e shpeshta mohuese, aq domethënëse për një artist në rritje, për të hapur kështu rrugën e tij, që tanimë i duhet ta ndajë edhe me publikun, si një mundësi për të rimenduar dhe riparë sheshpushimet si akte ndikimesh të panjohura apo të rishikuara artistike. Greg Rama vjen si një komunikim i pamundur i gjithë atij monologu të brendshëm e kaotik që së shumti nuk ndahet drejtpërdrejt, por i kamufluar përmes gjuhës së ndërmjetësuar të artit”, thotë Myrtezai. Dalja e tij e parë në publik është pikënisje e këndvështrim i hapur, që do të mundësojë hapjen e tij të radhës në kurajën e parashikimet e ndërgjegjes së tij si artist në një rrugë të gjatë e të vështirë.
(Gsh.al/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: