Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka pritur një delegacion të Policisë greke pas ngjarjes në Bularat ku mbeti i vrarë pas sulmit mbi policinë Konstantinos Kacifa.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se gjatë takimit përfaqësuesit e dy policive shkëmbyen informacion mbi operacionin ku mbeti i vrarë shtetasi 35-vjeçari i minoritetit grek.
Gjithashtu gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy policive në të ardhmen. Më herët “BalkanWeb” raportoi se ekipit policor grek është informuar për rrethanat e ngjarjes dhe hetimin paraprak, në pritje të vendimit të prokurorisë së Tiranës, ku duhet të përfshihen dhe provat. Në fazën e parë, pala shqiptare ka përshkruar ngjarjen dhe reagimin e policisë shqiptare.
Ekipi grek do qëndrojë në Tiranë deri në mbyllje të hetimit. Diplomacia greke konsideron se kërkesa e familjes për dorëzimin e trupit duhej pranuar menjëherë pasi nuk ndikon në asnjë drejtim drejtësinë vendore, theksojnë burime të sigurta në Greqi
(BalkanWeb)