Nga: KLODIANA LALA*TIRANE-Maria Ktazogou ësh të një shtetase greke, e cila do të ulet në kafazin e hekurt në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për akuzën e trafikut të narkotikëve, mbetur në tentative. Nga hetimi i kryer nga prokuroria rezultoi se kjo shtetase për të shmangur dyshimet në kontrollin kufitar kishte marrë me vete edhe vajzën e saj të mitur 3-vjeçare. Në dosjen e prokurorisë, fillimisht e pandehura deklaroi se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike në mjetin e saj. Por më pas pohoi se e kishte blerë lëndën narkotike për përdorim vetjak dhe për qëllim shitjeje. Sa i përket vendit ku e kishte blerë, prezantoi një version të vështirë për t’u besuar; sipas saj, në itinerarin e kthimit nga Gjirokastra për në territorin grek, ajo kishte parë një person që shiste lëndën narkotike në anë të rrugës. Kishte ndaluar dhe e kishte blerë.

HETIMET
Pavarësisht këtyre pretendimeve, prokuroria ka kryer një seri veprimesh hetimore dhe ka rezultuar si më poshtë: E pandehura në ditët para arrestimit ka kryer disa hyrje-dalje nga Greqia në Shqipëri, herë vetëm me vajzën dhe herë me bashkëshortin e saj. Në fillim, e pandehura pretendonte se vinte në Shqipëri për të kryer shërbim dentar (në fakt, kjo është e provuar pranë një klinike në Gjirokastër). Në datë 16.10.2014 (pak kohë para arrestimit), kjo shtetase ka hyrë në territorin shqiptar me automjetin e saj tip “Citroen” dhe sipas deklarimeve paraprake, është shprehur se mjeti ka pasur defekt dhe ka telefonuar një shtetas shqiptar, të cilin e kishte njohur në Greqi, por që në ato ditë ishte në Shqipëri (Tepelenë), për ta ndihmuar. Ky i fundit, i njohur vetëm me emrin “B…”, e ka ndihmuar duke i marrë makinën dhe e pandehura është rikthyer në Greqi si këmbësore. Në fund të muajit nëntor 2014, “B…” e kishte telefonuar dhe i kishte thënë që makina është rregulluar dhe e pandehura është nisur nga Greqia së bashku me bashkëshortin dhe vajzën për të marrë mjetin.

Në datë 02.12.2014, nën shoqërinë e vajzës së mitur, pasi i shoqi ishte larguar më parë me mjetin e tij, e pandehura Maria është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit iu gjet lënda narkotike e fshehur në një ambient të sajuar poshtë sediljeve. Nga tërësia e veprimeve hetimore janë krijuar dyshime të arsyeshme se kjo shtetase e ka kryer veprën penale të trafikut të lëndës narkotike në bashkëpunim. Deri në këtë fazë të hetimit, i cili po vijon, po punohet për të evidentuar personat e tjerë të përfshirë. Veprimet e ndërmarra prej saj janë kryer në kuadër të marrëveshjes bashkëpunuese me persona të tjerë shtetas shqiptarë (të paidentifikuar), të cilët i kanë siguruar asaj sasinë e narkotikut dhe pas lënies së automjetit në Shqipëri, i kanë përshtatur automjetin për fshehjen e saj (mënyra si ishte fshehur e tregon këtë) dhe ka qenë vetë e akuzuara që ka shkuar dhe e ka marrë automjetin me lëndë narkotike në rrethinat e Tepelenës (tashmë fshehur në automjet) dhe ka udhëtuar me këtë makinë për të kaluar në territorin grek.

Marrja prej saj e fëmijës së moshës 3 vjeç, në të gjitha udhëtimet në Shqipëri është bërë me një qëllim të paracaktuar prej saj, atë të pasjes lehtësi në kontrollin kufitar. Me veprimin transportues të sasisë së narkotikut për të kaluar në PKK Kakavijë drejt Greqisë, e pandehura po kryente rolin e ekzekutores së veprës penale.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: