Në emisionin “Me zemër të hapur” nga moderatorja Evis Ahmetaj në News24, u hodh dritë mbi ekzekutimin familjes shqiptare nga një shtetas grek, i cili u dënua me 4 burgime të përjetshme.
Motra e viktimës, Armandos dha detaje të tmerrshme nga seanca gjyqësore, ku kishte qenë prezentë. Ajo e quajti gjyqin si ‘qesharak’ , duke thënë se autori nuk shfaqi pendesë, por përkundrazi dukej i qetë dhe se familjarët e tij nuk kërkuan falje, ose të shprehnin ngushëllimet.
“Çfarë do lloj dënimi që do merrej, plaga jonë nuk do mbyllet kurrë, por të paktën u vu drejtësia në vend. Prindërit kishin frikë se mos jepej dënim më lehtësuese. Mora babain dhe shkuam në seancën gjyqësore. Nuk di sa ta përshkruaj atë moment. Pamja e tij ishte shumë e qetë, ishte ofendues, tallës, dhe nuk shfaqi asnjë lloj pendese. Arsyen nuk e dha, e vetmja gjë që tha ishte banale ‘bënin zhurmë, nuk i duroja dot, më shqetësonin mamanë’. Gjëra absurde. E vetmja gjë që tha është se nuk mbante mend se çfarë ka bërë me fëmijët, por nuk u besua nga gjykata. Ai tha që e pranon vendimin dhe donte t’i ktheheshin pas sendet e sekuestruar me motivin se ka fëmijët për të rritur. Nuk prisnim që një nënë të mbështeste të birin kriminel që vrau katër jetë njerëzish (nëna e autorit).
Për mua ishte gjyq qesharak. Familjarët dhe dëshmitarët dëshmuan se krimineli kishte probleme psikologjike, ketë e kanë pohuar dhe ish-gratë e tij. Fëmijët e tij u pyetën në lidhje se si ka qenë si baba, dhe ata u shprehën si një prind mbështetës edhe pse nuk kanë jetuar më babain. Nuk pati komunikim mes familjes sonë dhe të autorit”, u shpreh motra e Armandos.
61-vjeçari Sakis Varvaresos do të vuajë dënimin pa asnjë masë lehtësuese për vrasjen me paramendim të 32-vjeçarit Armando Kloci, bashkëshortes së tij Maria dhe dy fëmijëve të tyre të mitur.
(BalkanWeb)