Një refugjat tjetër ka humbur jetën në kampin e refugjatëve Moria në ishullin Lesbos të Greqisë, raporton ‘AA’.

Sipas të dhënave të siguruara, një migrant me shtetësi pakistaneze i cili supozohet të ketë qenë në moshë 20-vjeçare, është gjetur i vdekur në kampin Moria në ishullin Lesbos të Greqisë.

Në këtë mënyrë, numri i refugjatëve të vdekur në këtë kamp brenda një jave është rritur në tre.

Ende nuk dihet se çfarë mund të ketë shkaktuar vdekjen e refugjatit, ndërkohë që theksohet se ai mund të ketë humbur jetën si pasojë e helmimit nga gazi që ka rrjedhur nga soba që përdorej për ngrohje.

Po ashtu, në kampin e njëjtë të martën e kaluar u gjetën të vdekur një i ri 22-vjeçar nga Egjipti, ndërsa ditën e shtunë një refugjat sirian i moshës 45-vjeçare.

Ndërkaq, paraprakisht ishte deklaruar se në ishull janë dërguar ekspertë të mjekësisë ligjore për t’i hetuar vdekjet që kishin ndodhur njëra pas tjetrës.

Nga ana tjetër, refugjatët e bllokuar në Greqi pas mbylljes së kufijve nga ana e shteteve evropiane, janë duke luftuar me kushtet e vështira të dimrit në kampet në të cilat gjenden.

Qindra refugjatë që ende qëndrojnë në çadra verore kanë përjetuar ditë të vështira në kampin Moria si rezultat i temperaturave tejet të ftohta dhe reshjeve të dëborës që përfshinë vendin javët e kaluara.

Autoritetet greke, të cilat u zunë të papërgatitura nga kushtet dimërore, zgjidhjen e kishin gjetur duke dërguar një anije zbarkimi të Flotës Greke me emrin Lesvos në portin e Lesbosit për t’i pritur refugjatët.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: