ATHINË- Ende pa u konsoliduar mirë qeveria e re e Alexis Tsipras, kanë nisur komentet pro dhe kundër saj. Zëdhënësi i partisë “Demokracia e re”, të ish-kryeministrit Antonis Samaras, Kostas Karagunis tha se qeveria e re është pa destinacion dhe me ekuilibra të brishtë midis komponentëve të ndryshëm, brenda dhe jashtë SYRIZA-s. Në mënyrë ironike, Karagunis tha “përshëndesim qeverinë e vogël me 40 ministra të zotit Aleksis Cipras”.

“Shprehim shqetësimin tonë të thellë për pjesëmarrjen në qeveri të personave që kanë shprehur qëndrime të rrezikshme për zhvillimin ekonomik, privatizimet, anulimin e investimeve, madje dhe kufij të hapur për çdo emigrant”, deklaroi zëdhënësi.

“Demokracia e re” është prezent për të gjykuar, për të vlerësuar, por edhe për të penguar politika të dëmshme për interesat kombëtare dhe qytetarët grekë, veçanërisht në momentet kritike që po vijnë”, tha Karagunis.

Ndërkohë, PASOK-u vëren se qeveria e re do të vlerësohet nga puna dhe jo nga përbërja, ndërsa “Lumi” komenton se, me disa përjashtime, është një skemë e keqe qeveritare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb