ATHINË – Një grevë të përgjithshme 24-orëshe, e tridhjetë e dyta që nga viti 2010, kanë shpallur për sot sindikatat e sektorit publik dhe atij privat si reagim ndaj politikave shtrënguese dhe parashikimeve për buxhetin e ri.


Sindikatat GSEE dhe ADEDY do të zhvillojnë një tubim proteste në orën 11:00 në sheshin ”Klathmonos”, ndërsa PAME do ta bëjë tubimin në sheshin ”Omonia”.


Një ndërprerje triorëshe të punës, nga ora 11:00 deri në 14:00 kanë programuar punonjësit në sektorin e medias.


Në orën 12:00 para godinës së Unionit të Gazetarëve të Athinës (ESIEA), do të mbahet një tubim proteste.

Në grevën e përgjithshme 24-orëshe të ditës së sotme do të marrin pjesë edhe mjetet e transportit publik, me ndërprerje të punës, me qëllim që siç thuhet në një komunikatë, të lehtësohen punonjësit që të marrin pjesë në lëvizjet greviste.

Ndërkaq, të paralizuara do të jenë gjithë ditën trenat e hekurudhës dhe të linjës suburbane.

Ndërsa treni elektrik dhe metroja nuk do të funksionojnë nga fillimi i turinit deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në përfundim të turnit.

Linjat e tramvajit do të funksionojnë nga ora 09:00 deri në orën 17:00.

Probleme pritet të ketë sot edhe në linjat ajrore, pasi në grevën 24-orëshe do të marrin pjesë edhe kontrollorët e trafikut ajror.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: