NGA ANILA JOLE*
ATHINE
-Kryeministri grek Antonis Samaras ka bërë thirrje që palët politike të zgjedhin presidentin e vendit e të kapërcejnë krizën politike. Në një deklaratë të transmetuar në televizion dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjes së presidentit, Samaras ka kërkuar nga deputetët të votojnë e të shmangin zgjedhjet e parakohshme. “Populli grek nuk dëshiron që të bëhen zgjedhje të parakohshme dhe ka të drejtë. Nuk duhet të bëhen zgjedhje. Nuk mund të përfundojmë një periudhë pasigurie dhe të futemi menjëherë në një pasiguri tjetër”, deklaroi Samaras. Kryeministri grek i ftoi gjithë deputetët në konsensus për zgjedhjen e Stavros Dimas në postin e presidentit të republikës. “Është një detyrim kombëtar, që më parë të përfundojmë negociatat me huadhënësit dhe të avancojmë me ndryshimet në Kushtetutë në kushte sigurie dhe normaliteti. Më pas mund të gjejmë kohën e duhur për zgjedhjet kombëtare, madje edhe në fund të vitit 2015”, u shpreh Samaras. Pasi dështoi zgjedhja e presidentit  në raundin e parë, nesër është raundi i dytë, ku kërkohen 200 vota nga 300 deputetët e Parlamentit, ndërsa në raundin e tretë më 29 dhjetor kërkohen 180 vota.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: