Nga ANILA JOLE* ATHINË- “Populli grek foli dhe të gjithë respektojmë vendimin e tij”, deklaroi kryeministri në largim, Antonis Samaras në deklarata në pallatin Zapeon. “E kam ndërgjegjen time të qetë, mora një vend në buzë të katastrofës. Rezistuam, mënjanuam më të këqijat, e nxorëm vendin nga recesioni dhe deficitet, hodhëm themelet për zhvillimin dhe për daljen nga kriza. Krijuam një traditë të re konsensusesh dhe qeverish ndërpartiake. U detyruam të marrim masa të dhimbshme dhe u bënë edhe gabime, por mënjanuam më të këqijat”, theksoi Samaras.

Dhe shtoi: “Po dorëzoj një vend pa deficite, me siguri për qytetarin, një vend që po del në mënyrë të rregullt nga kriza. Po dorëzoj një vend që është anëtar i BE-së dhe i euros. Për të mirën e vendit, uroj që qeveria e ardhshme t’i ruajë këto arritje. E kam ndërgjegjen të qetë, sepse deri në fund i thashë të vërtetën popullit. Uroj të mos vërtetohen parashikimet e mia”.
Duke iu referuar rezultatit zgjedhor tha se “nuk është i kënaqshëm, por Demokracia e Re rezistoi dhe është në këmbë, me gjithë masat e vështira që u detyruam të marrim. Duket se Demokracia e Re humbi vetëm dy njësi në raport me zgjedhjet e 2012-s dhe qëndron e gatshme të luajë rolin si garant i stabilitetit europian, i sigurisë dhe i reformave. Roli i saj do të jetë kritik. Garantoj se partia do ta luajë këtë rol me integritet”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb