ATHINË– Kryeministri grek Antonis Samaras ka bërë një krahasim të
programit të “Demokracisë së re” dhe të SYRIZA-s, gjatë një fjalimi në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Athinës. Samaras vlerësoi disa arritje të qeverisë nën drejtimin e tij.


“U shënua ulje e papunësisë, u reduktua borxhi publik dhe tani po dalim nga memorandumi”, tha kryeministri, duke bërë një bilanc të shkurtër. Kryeministri iu referua zhvillimeve që çuan në zgjedhjet e parakohshme dhe pasojat për ekonominë.


“Një minorancë e tërhoqi vendin në zgjedhje, të cilat shumica nuk i donte. Faktikisht po regjistrohen pasoja negative, ulje e xhiros, ulje e të ardhurave tatimore, rënie e bursës, tendenca të largimit të depozitave, që i detyruan bankat t’i drejtohen ELA-s, pezullim i projekteve për dhënie likuiditetesh nga bankat, dhe një pasiguri paralizuese që ka ngrirë investimet që parashikonin mijëra vende pune. Këto minojnë perspektivat e vendit”, theksoi ai.


“SYRIZA bën premtime të çmendura si rikthim të pagave në sektorin publik dhe rimarrje në punë në këtë sektor, premton rishtetëzime, premton shtetëzim të sektorit të energjisë dhe ka paralajmëruar nënshtrimin e sistemit bankar nën kontrollin e shtetit. Paralajmëron obligacione shtetërore nga depozitat e qytetarëve. Gjithashtu taksë për veprimet bankare, duket se nuk e dinë se si funksion sistemi bankar”, vërejti Samaras për programin e SYRIZA-s.

”SYRIZA thotë se do ta çojë koeficientin maksimal në tatimin e të ardhurave në 60 për qind, kur ne kemi premtuar uljen deri në 33 për qind. A ka ndokush dyshime se bëhet fjalë për një shtrëngatë tatimore?”, theksoi Samaras.

Ndërkohë 13 sondazhe të bëra në Greqi i kanë dhënë fitoren SYRIZA-s, në zgjedhjet e 25 janarit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: