GREQI- Fitore historike e koalicionit të së majtës radikale SYRIZA në Greqi. Kur ka përfunduar numërimi i rreth 50% të votave, partia e mjatë radikale, SYRIZA kryeson dukshëm me mbi 35% të votave, ndërsa ka shumë gjasa që Tsipras të krijojë i vetëm qeverinë e re. Ndërsa sipas rezultateve paraprake, Demokracia e re e Antonis Samaras, kryeministrit në detyrë do të jetë forca e dytë. Ndërkohë në Greqi, mbështetësit e SYRIZA-s kanë filluar festimet për fitoren e radikalëve të majtë.


Kryeson SYRIZA me 36.19 për qind të votave me 149 vende në parlament


00:45-Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme Greke janë numëruar 80%  e të gjitha votave në të gjithë vendin. Kështu deri në orën 00:20, sipas ministrisë së Brendshme greke ‘SYRIZA ka marrë 36.19 për qind të votave me 149 vende në parlament, ‘Demokracia e Re’ me 28 % të votave dhe 77 vende në Parlament. Agimi i Artë merr 6,32% të votave me 17 vende në Parlament. Potami merr 5.9 % të votave, me 16 vende në Parlament. KKE merr 5,46% të votave, me 15 vende në Parlament. PASOK merr  4,72% të votave, me 13 vende në Parlament. ANEL merr 4.70% të votave, me 13 vende në Parlament. KINIMA ka marrë 2.44% të votave me asnjë vend në Parlament’


Tsipras merr urime edhe nga kreu i Bankës së Greqisë Yannis Stournara

00:16-Nëpërmjet një mesazhi, kryetari i Bankës Qendrore të Greqisë, Yannis Stournara uroi kreun e SYRIZA-s  Aleksis Tsipras për fitoren në zgjedhjet kombëtare. Vetëm pak orë më parë Tsipras ka marrë një urim nga presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz. Ky i fundit e ka uruar Tsipras pas një bisede telefonike. Zoti Schultz shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me kreun e SYRIZA-s

Presidenti i PE-së, Schulz uron Tsipras: Fitore historike

Ora 22:30- Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz ka përshëndetur zgjedhjet e përgjithshme në Greqi, ndërsa e ka quajtur fitoren e SYRIZA-s, fitore historike. Nëpërmjet një telefonate, kreu i PE-së ka uruar liderin e SYRIZA-s, Aleksis Tsipras për fitoren duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Greqinë pas zgjedhjeve.

“Kjo është një fitore historike, një sukses i madh. Unë do të bëj gjithçka që është në dorën time për të gjetur një zgjidhje të pranueshme e të qëndrueshme. Dhe unë do të vij në Athinë për t’u takuar ju menjëherë pas inaugurimit të qeverisë së re, para se të shkoj për te Merkel të premten”, ka thënë Schulz.

Ora 22:28- Kreu i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras ka dalë përpara gazetarëve në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve, ku ka përsëritur premtimet e tij për të rindërtuar vendin. “Do të luftojmë për të rindërtuar vendin dhe që grekët të rifitojnë dinjitetin e humbur. Do formojmë një qeveri për të gjithë popullin”, ka thënë Tsipras, ndërsa është përcjellë me duartrokitje dhe thirrje të shumta nga mbështetësit.

Ora 21:40- Ende pa u mbyllur procesi i numërimit të votave, Kryeministri në detyrë grek, Antonis Samaras i ka telefonuar liderit të partisë së majtë radikale Aleksis Tsipras, duke e uruar për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme, ku kanë votuar rreth 10 milion grekë. Nga ana e tij, Tsipras ka vlerësuar telefonatën e Samaras. Ndërkohë urime Tsipras ka marrë edhe nga Venizelos, i cili tha “uroj SYRIZA-n të ketë sukses për të mirën e vendit. SYRIZA ka një përgjegjësi të madhe ndërsa për ne është detyrim të respektojmë zgjedhjen e popullit”. Procesi i numërimit vijon, ndërsa janë numëruar rreth 50% të votave.

Ora: 21:38- Janë numëruar 45.28% të votave ku: SYRIZA ka 35,85%, 148 vende; Demokracia e re 28,38%, 78 vende; Agimi i Artë 6,37%, 17 vende; Lumi 5,82%, 16 vende; KKE 5,40%, 15 vende; PASOK 4,83%, 13 vende; Anel: 4,67%, 13 vende; Partia e Papandreut 2,45%, 0 vende në Parlament.

Ora 21:15- Janë numëruar më shumë se 35% të votave për zgjedhjet e përgjithshme në Greqi, ku Syriza kryeson me 35,63%, e përkthyer në 148 vende. Ndërkohë Demokracia e re, e kryeministrit në detyrë, Samaras ka deri tani 28,65% të votave ose 78 vende; Agimi i Artë 6,37%, 17 vende; Lumi 5,75%, 16 vende; KKE: 5,37%, 15 vende; PASOK 4,91%, 13 vende; ANEL 4,67%, 13 vende; Papandreu 2,43%, asnjë vend.

Ora 20:40- E ndërsa janë numëruar më shumë se 20% të votave, SYRIZA kryeson sërish, duke u renditur e para në këto zgjedhje. Ndërkohë mediat greke raportojnë se partia e Papandreut do të mbetet jashtë parlamentit, pasi nuk kalon dot pragun. Lideri i Syrizas, Aleksis Tsipras ka shkuar në zyrat e partisë ku është pritur me duartrokitje nga bashkëpunëtorët e tij, por edhe qindra qytetarë që e kanë votuar.

Ora 20:10- Janë numëruar 15% e votave dhe deri tani SYRIZA kryeson me 34.93% të votave. Ndërkaq nga numërimi ka rezultuar se Demokracia e re, ka 29.44%; Agimi i Artë 6.26%; Lumi 5.58%; KKE 5.29%; PASOK 5.25%;  ANEL 4.6%. Për 15% të votave të numëruara deri tani, partia e Papandreut ka 2.53%.

Ora 18:00- Exit-poll-et e para për zgjedhjet në Greqi, flasin për një fitore të thellë të partisë “Syriza” dhe liderit të saj Aleksis Tsipras. Sipas këtyre Exi-poll-eve, Syriza me 39% të votave merr nga 145 deri në 148 vende në parlamentin e ri të Greqisë dhe në këtë mënyrë mund të krijojë pa frikë e vetme qeverinë.

Ndërkohë sipas Exit-poll-eve: Demokracia e re merr 23- 27% të votave me 65-75 vende në parlament; Agimi i Artë merr 8% të votave, partia Lumi me 6.4% të votave; PASOK merr 4.2-5.2% të votave. Po kështu Partia komuniste merr 13-16 vende në Parlament; Grekët e pavarur, 10-13 vende në Parlament. Exit-Poll-et thonë se Partia e Papandreut është në kufi për të mbetur jashtë parlamentit.

Raportimet thonë se pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 62%, ndërkohë që në Greqi kanë filluar tashmë festimet nëpër rrugë për fitoren e SYRIZA-s. Edhe mediat botërore flasin për një triumf të partisë së Tsipras. Sipas të dhënave, rezultatet e 5 Exit Poll-eve rezultojnë të njëjta.

(m.k/os.de/BalkanWeb)