Greqia ka njoftuar dëbimin e ambasadorit të Libisë në Athinë, për shkak të një marrëveshje të nënshkruar më 27 nëntor midis Libisë dhe Turqisë për hartimin e një kufiri detar midis dy vendeve afër Kretës. Mohamed Younis AB Menfi ka një afat prej 72 orësh për t’u larguar nga vendi, tha Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias, në një konferencë shtypi këtë premte. Dendias e quajti marrëveshjen Turqi-Libi një “shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar”. Marrëveshja libiano-turke mund t’ia lehtësojë punën Ankarasë për eksplorimin e energjisë në det të hapur në Mesdhe ndërkohë që Greqia

e sheh këtë veprim si shkelje të të drejtave të saj sovrane. Fqinji i Libisë Egjipti e hodhi poshtë marrëveshjen si “të paligjshme”, siç bëri edhe Qipro. Ndëkohë disa ekspertë pohuan për televizionin Al Jazeera se kjo marrëveshje detare e ka çuar Greqinë dhe Turqinë shumë pranë një konflikti të armatosur. Raportohet se Greqia ka dërguar në zonën e kontestuar në juglindje të Kretës forcat e marinës së saj për të penguar çdo anije turke që mund të nisë kërkimet për naftë. Sipas Reuters Turqia dhe qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë nënshkruan marrëveshjen që përcakton kufijtë e tyre dhe një marrëveshje mbi bashkëpunimin e zgjeruar të sigurisë dhe ushtrisë, një hap që Turqia tha se po mbronte të drejtat e saj. Greqia menjëherë reagoi, duke e quajtur marrëveshjen absurde sepse injoroi praninë e Kretës midis brigjeve të Turqisë dhe Libisë.

Greqia dhe Turqia janë në mosmarrëveshje për një mori çështjesh, duke filluar nga të drejtat minerale në Detin Egje deri në Qipron e ndarë në vija etnike. Tensionet janë gjithashtu të larta për shkak të shpimeve turke në Qipro, dhe Bashkimi Evropian ka përgatitur sanksione kundër Turqisë si përgjigje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb