TIRANE- Shqipëria është në gatishmëri si pasojë e krizës financiare që ka përfshirë Greqinë, fqinjin e saj jugor, krizë që do të detyroje dhjetëra mijëra emigrantë shqiptare që të kthehen në atdheun e tyre, duke ndërprere në këtë mënyre remitancat për familjet e tyre në një prej vendeve ish-komuniste me të varfëra të Europës shkruan sot në një analizë të saj gazeta prestigjioze ‘Financial Times’.

Ministrat e qeverise në Tiranë shprehin besimin se sistemi financiar shqiptar mund ta kalojë këtë stuhi edhe pse tre banka në Shqipëri janë në pronësi greke dhe kontrollojnë pothuajse 16 për qind të të gjithë aseteve në sektorin bankar shqiptar. Por shqetësimi rreth kthimit të mundshëm te emigranteve do te thotë se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, më shumë sesa partnerët e Greqisë në Eurozone mund të jenë të parët që do të ndjenin efektet sociale të krizës në Athinë. Rreth 12 për qind e 3.2 milionë qytetarëve në Shqipëri jetojnë nën kufirin varfërisë të Bankës Botërore prej 2 dollarësh në ditë.

“Punëtorët emigrantë shqiptarë kanë shkuar në Greqi që nga fillimi i viteve ‘90,” deklaroi ministri i jashtem Ditmir Bushati përpara një grupi gazetaresh të BE-së në Tiranë. “Kontributi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në Greqi dhe në itali, gjithashtu, ka qenë mjaft i dobishëm në mbështetjen e ekonomisë shqiptare. Ekonomikisht ne i kemi ndjerë efektet e krizës greke.” -deklaroi ai. Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit ra nga 952 milion euro në 2007 në 544 milion euro vitin e kaluar, por edhe shifra më të ulët përfaqëson rreth 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Rreth 180,000 emigrantë shqiptarë janë kthyer në shtëpi gjatë pesë viteve të fundit, pas intensifikimit te krizës Greke, por disa qindra mijë të tjerë mendohet të jetojnë atje në mënyrë të paligjshme kryesisht në Athinë dhe qytetin verior të Selanikut.

Ekziston rreziku se një numër i madh emigrantesh, nëse humbasin vendin e punës në Greqi do të kthehen në Shqipëri. Kjo do të rriste papunësinë që aktualisht është në 14 për qind, do të tendoste sistemin e sigurimeve shoqërore dhe do të kthehej në një sfidë integrimi ne shkollat shqiptare i fëmijëve të emigranteve të cilët janë arsimuar dhe rritur në shoqërinë greke. Këto probleme konsiderohen potencialisht me serioze për Shqipërinë se çdo vend tjetër. ‘Financial Times’ gjithashtu shkruan se ministri i jashtem i Greqisë, Nikos Kotzias pritet të vizitojë Tiranën më 15 korrik por mbetet për t’u parë nëse ai do të shkojë me ide të freskëta për tejkalimin e mosmarrëveshjes lidhur me kufirin detar mes dy vendeve.
(ed.me/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb