GREQI-Kishim një takim konstruktiv, veçanërisht produktiv për propozimet greke mbi reformat, deklaroi ministri grek i Financave, Janis Varufaqis, pas takimit me drejtoreshën e përgjithshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, në selinë e këtij fondi në Uashington.

“Qeveria jonë është reformatore. Jemi të vendosur të reformojmë thellësisht Greqinë. Ky është premtimi ynë ndaj popullit grek”, theksoi Varufaqis.

“Shansi për të diskutuar programin reformator të Greqisë këtu në FMN me drejtoreshën e përgjithshme është një hap i jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Diskutuam gjithashtu mënyra për përmirësimin e eficencës së negociatave që po bëhen sa në Grupin e Brukselit, aq edhe në nivel teknik në Greqi”, shtoi ai.

I pyetur nëse do të ndryshojë mëyra e negocimit, Varufaqis tha se ”procesi që kemi nisur në Grupin e Brukselit dhe ekipet teknike në Athinë do të jetë më eficent, do të ketë grupime tematike me objektiv kompletimin e marrëveshjeve shumë më shpejt, që do të kenë cilësi më të mirë”.

Në ndërkohë, Lagarde nënvizoi në një deklaratë me shkrim se “bashkëpunimi eficent është në interes të të gjithëve”, duke theksuar se “ministri Varufaqis dhe unë shkëmbyem pikëpamje për zhvillimet aktuale dhe ramë dakord se bashkëpunimi eficent është në favor të të gjithëve”.

“Vumë në dukje se pasiguria e vazhdueshme nuk është në interes të Greqisë dhe përshëndeta garantimin nga ana e ministrit se pagesa ndaj fondit do të bëhet më 9 prill. Shpreha vlerësimin tim për angazhimin e ministrit për përmirësimin e aftësive të ekipeve teknike që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe forcimin e bisedimeve lidhur me politikën me Grupin e Brukselit dhe të dy grupet do të vazhdojnë përsëri punën e tyre të hënën. Përsërita se fondi mbetet i angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet dhe për të ndihmuar Greqinë që të rikthehet në një rrugë jetësore zhvillimi dhe punësimi”.

Varufakis do të takohet sot edhe me ekipin drejtues të Departamentit amerikan të Thesarit, ndërsa do të të ketë takim edhe këshilltaren e presidentit Obama për çështjet e sigurisë, Caroline Atkinson.

(a.n/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: