Greqia ashpërson qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe rastin e Fredi Beleri. Në një deklaratë me shkrim në kuadër të mbledhjes së Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së (COREPER), Greqia thekson se çështja e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës do të jetë kusht për të ardhmen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Krahas kësaj, në deklaratë theksohet se tani e tutje për Athinën, çështja e pranimit të Shqipërisë në BE do të shihet e lidhur me qëndrimin që Tirana do të tregojë për çështjen Beleri, të cilën pala greke e konsideron si provë të shkeljes së kushteve që duhet të plotësojë një shtet kandidat për anëtarësim në bllok.
Deklarata në fjalë shoqëron letrën, e cila është miratuar dhe dërguar në Tiranë, e qe përbën hapin e parë për fillimin e negociatave me BE-në. për pesë kapituj themelorë. Kujtojmë se pak javë më parë Athina bllokoi letrën për të dhënë një “sinjal” paralajmërues lidhur me çështjet që e shqetësojnë në lidhje me Shqipërinë. gjatë kësaj kohe, Athina mori presion shumë të fortë si nga Gjermania, ashtu edhe nga presidenca spanjolle për të ndryshuar qëndrimin e saj. Megjithatë, sipas mediave greke, Greqia nuk ka ndërmend të tërhiqet, pasi pretendon se ndalimi 7 mujor i Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës është një shkelje e drejtpërdrejtë e shtetit të së drejtës siç përshkruhet nga traktatet evropiane.
(BalkanWeb)