NGA KOSTAS LAPAVICAS (Deputeti i Syriza-s dhe ekonomist)*

Marrëveshja e nënshkruar së fundmi mes Greqisë dhe BE-së, pas 3 javë negociatash të ethshme, është një kompromis i arritur nën presionin ekonomik. Merita e vetme për Greqinë, është se ky pakt e mbajti të gjallë e të aftë qeverinë Cipras, për të luftuar “edhe një ditë tjetër”.

Greqia do të duhet të negociojë një tjetër marrëveshje financimi afatgjatë në qershor, dhe ka disa pagesa të konsiderueshme të borxhit, për t’u kryer në korrik dhe gusht. Gjatë 4 muajve në vazhdim, qeveria do të duhet të reagojë në bllok, për t’i negociuar këto pengesa, dhe zbatuar programin e saj radikal.

E majta evropiane do të ketë pjesë në suksesin grek, nëse Athina do të mundë sërish forcat e kursimit, të cilat aktualisht po e mbysin kontinentin. Në shkurt, ekipi negociator grek, ra në një kurth të dyfishtë. E para ishte mbështetja e Bankës Qëndrore Evropiane ndaj bankave greke me likuiditet, pa të cilat këto të fundit, do të ndalnin funksionimin.

Presidenti i BQE, Mario Dragi, e rriti presionin, duke shtrënguar kushtet e ofrimit të likuiditetit. Të shqetësuar nga këto zhvillime, depozituesit tërhoqën fondet dhe për pasojë në fund të negociatave, bankat greke humbën mbi një miliardë euro likuiditet në ditë.

E dyta, ishte nevoja e shtetit grek, për të financuar shërbimin ndaj borxhit dhe paguar pagat. Ndërsa bisdimet vazhdonin, fondet u bënë me të shtrenjta. BE-ja, e udhëhequr nga Gjermania, në mënyrë cinike priti, deri kur presioni mbi bankat greke, arriti kulmin. Deri mbrëmjen e së premtes në 20 shkurt, qeveria Cipras, duhet të pranonte një kompromis, ose të përballej me kushtet kaotike financiare javën e ardhshme, për të cilat ajo nuk ishte aspak e përgatitur.

Marrëveshja e firmosur ka zgjatur marrëveshjen e kredisë, duke i garantuar Greqisë para për 4 muajt e ardhshëm, subjekt i shqyrtimit të rregullt nga ana e “institucioneve”, dmth Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN-së. Vendi u detyrua të deklarojë, se do të përmbushë “plotësisht dhe në kohë” të gjitha detyrimet ndaj kreditorëve të saj.

Për më tepër, ajo do të synojë të arrijë tepricat “e duhura” primare; të heqë dorë nga veprimet e njëanshme që do të “ndikonin negativisht tek objektivat fiskalë”; dhe të ndërmarrë “reforma”, që janë në kundërshtim me premtimet elektorale të Syriza-s, për uljen e taksave, rritjen e pagës minimale, anulimin e privatizimeve si dhe lehtësimin e krizës humanitare. Me pak fjalë, qeveria Cipras, ka paguar një çmim të lartë, për të mbetur në këmbë.

Gjërat do të vështiresohen edhe më, nga gjendja e vështirë e ekonomisë greke. Rritja në vitin 2014 ishte në nivelin 0.7 përqind, ndërsa PBB ngeci gjatë 3-mujorit të fundit. Prodhimi industrial ra me 3.8 përqind në muajin dhjetor, dhe madje edhe shitjet me pakicë u reduktuan me 3.7 përqind, pavarësisht festës së Krishtlindjeve.

Megjithatë, treguesi më shqetësues, është rënia e çmimeve me 2.8 përqind janarin e këtij viti. Kjo është një ekonomi me një spirale deflacioni, dhe me pak ose aspak drejtim nga e majta. Në këtë sfond, të këmbëngulësh tek masat shtrënguese dhe bilancet primare, është një hakmarrje e çmendur.

Katër muajt e ardhshëm, do të jetë një periudhë e luftës së vazhdueshme për Syriza-n. Ka pak dyshime se qeveria do të përballet me vështirësi të mëdha në kalimin e testit në prill nga “institucionet”, për të siguruar dhënien e fondeve shumë të nevojshme. Në të vërtetë, kaq e rëndë është situata fiskale, sa ngjarjet mund të krijojnë edhe më shpejt një ngërç të ri.

Të ardhurat tatimore po bien me shpejtësi, pjesërisht sepse ekonomia është e ngrirë, dhe pjesërisht për shkak se njerëzit po vonojnë pagesat, në pritje të lehtësimit të barrës së jashtëzakonshme të taksave, të vendosura gjatë viteve të fundit. Portofoli publik do të sforcohet konsiderueshëm edhe gjatë muaji mars, kur ka disa pagesa të konsiderueshme të borxhit për t’u kryer.

Por edhe nese supozojmë, që qeveria Cipras do të arrijë të “lundrojë” me sukses nëpër këto ngushtica, në qershor, Greqia do të duhet të ri-hyjë në bisedime me BE, për një marrëveshje të re financimi afatgjatë. Pra kurthi është aty pranë, i gatshëm për të dëmtuar sërish. Po çfarë duhet të bëjmë ne si Syriza, dhe si mund të lëmë të majtën evropiane, të na ndihmojë?

Hapi më jetik, është që të kuptojmë se strategjia e shpresës, për të arritur ndryshime radikale brenda kornizës institucionale të monedhës së përbashkët, ka marrë fund. Kjo strategji na dha suksesin në zgjedhje, duke premtuar çlirimin e popullin grek nga masat shtrënguese, pa patur nevojë të shkëputemi nga eurozona.

Për fat të keq, ngjarjet e fundit kanë dëshmuar jashtë çdo dyshimi se kjo është e pamundur, dhe se ka ardhur koha që ne ta pranojmë këtë realitet. Që Syriza të shmangë kolapsin apo dorëzimin e përgjithshëm, ne duhet të jemi realisht radikalë.

Forca jonë qëndron ekskluzivisht tek mbështetja e jashtëzakonshme popullore, që ne ende gëzojmë. Qeveria duhet me shpejtësi të zbatojë masat, duke çliruar njerëzit që punojnë, nga presionet e jashtëzakonshme të viteve të fundit: penguar shitjen e shtëpive, shlyer borxhin e brendshëm, rilidhur familjet me rrjetin e energjisë elektrike, rritur pagën minimale dhe ndaluar privatizimet.

Ky është programi, për të cilin ne u zgjodhëm. Objektivat fiskale dhe monitorimi nga ana e “institucioneve”, duhet të jenë në plan të dytë në llogaritjet tona, në rast se duam të ruajmë mbështetjen tonë popullore.

Në të njëjtën kohë, qeveria jonë duhet t’i qaset negociatave kanosëse të qershorit, me një kornizë shumë të ndryshme, nga ajo e bisedimeve të muajit të kaluar. Eurozona nuk mund të reformohet, dhe nuk do të bëhet një bashkimi monetar “miqësor”, që mbështet njerëzit që punojnë.

Greqia duhet të çojë një koleksion të plotë të opsioneve në tryezë, dhe duhet të jetë e përgatitur për masat e jashtëzakonshme të likuiditetit, në dijeninë se të gjitha skenaret do të mund të menaxhohen, nëse njerëzit e saj janë gati. Në fund të fundit, BE-ja ka sjellë tashmë shumë fatkeqësi në vend.

Syriza do të mund të fitojë mbeshtetje nga e majta evropiane, vetëm nëse e majta greke heq dorë nga iluzionet e veta, dhe fillon të propozojë politika të ndjeshme, të cilat mundet më në fund të shpëtojnë Evropën nga absurditeti, që ka krijuar monedha e përbashkët. Vetëm atëherë mund të ketë një shans, për të hequr siç duhet masat e kursimit, në të gjithë kontinentin. Koha është me të vërtetë shumë e shkurtër për të gjithë ne. /”The Guardian”/Bota.al

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: