Heshtja zgjedhore mbizotëron sot në Greqi, një ditë para se qytetarët të shkojnë përsëri tek kutitë e votimeve 5 javë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 21 majit, në të cilat kosnervatorët që fituan bindshëm me 20 pikë diferencë nga të Majtët, nuk mundën të siguronin shumicë parlamentare për shkak se u zhvilluan me sistemin e thjeshtë proporcional.
Në mitingun e fundit, ai ditës së djeshme, kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis u ka bërë thirrje grekëve për përgjegjësi politike dhe pjesëmarrje në votime.
“Votuesit i kthyen shpinën përçarjes dhe shpërblyen programin tonë politik, punën e palodhur, mirësjelljen politike dhe mbi të gjitha, efikasitetin. Shpërblyen një qeveri që mbetet konsistente midis premtimeve dhe veprave, që ishte e sinqertë para gabimeve të saj”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis.
Rivali i Mitsoytakis, kreu i Syrizas Aleksis Tsipras u ka dhënë kurajë përkrahësve të tij që të bëjnë çfarë është e mundur për të zvogëluar distancën dhe për të mos lejuar Demokracinë e Re të ketë pushtet absolut.
“Ju e dini mirë: Lejohet të rrëzohesh, por duhet të ngrihesh përsëri në këmbë. Dhe ne jemi tashmë në këmbë. Ne po luftojmë për idealet tona, vlerat dhe parimet tona, për shumicën e shoqërisë greke.“- u shpreh Alexis Tsipras, kreu i partisë Syriza.
Analistët vlerësojnë se nuk priten ndryshime në rezultatin zgjedhjeve përveç faktit se sa e madhe do të jetë shkalla e fitores së konservatorëve, si dhe fatit të partive të shkatërruara të opozitës së majtë që do të duan vite për tu rimëkëmbur. Ata theksojnë gjithashtu se gabimi kryesor ,sidomos i partisë më të madhe opozitare Syriza ishte se investoi përsëri ashtu si në 2015, tek zemërimi i njerëzve pas kaq shumë vitesh krize ekonomike dhe pandemie ,ndërkohë që njerëzit kërkojnë tashmë stabilitet.
Ndërsa sot votojnë rreth 25000 grekë në 35 shtete jashtë Greqisë ,prej orës 7 të së dielës ,për 12 orë, në 21.634 qendra , do të shkojnë rreth 9.8 milionë votues, mes tyre edhe ata që mbushin moshën 17 vjeç sivjet, për të zgjedhur deputetët e parlamentit 300 vendesh nga 32 parti apo forca politike, kësaj here me sistemin proporcional të përforcuar.
(BalkanWeb)