Greqia ka nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen me Uashingtonin për blerjen e avionëve luftarakë të gjeneratës së pestë F-35. Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dendias.
Sipas marrëveshjes, Forcat Ajrore Helenike do të blejnë fillimisht 20 avionë luftarakë F-35 me një kosto totale prej 3.47 miliardë euro. Dërgesat janë planifikuar të fillojnë në vitin 2028, me katër avionët e parë të mbetur në SHBA deri në vitin 2030 për qëllime trajnimi. Dërgesat përfundimtare pritet të përfundojnë në vitin 2033.
“Ne po ndërtojmë një forcë të fuqishme ushtarake duke blerë avionin luftarak më të avancuar në botë”, tha Nikos Dendias, Ministri i Mbrojtjes greke.
Po ashtu në bazë të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara, Athina ka mundësinë të porosisë edhe 20 F-35 të tjerë, me plane pas vitit 2030.
Marrëveshja përfshin gjithashtu dy motorë rezervë, katër simulatorë, materiale të ndryshme, pajisje dhe shërbime trajnimi. Theksohet se marrëveshja nuk mbulon ndërtimin në krahun luftarak 117 në Andravidë, i cili do të shërbejë si bazë për F-35-të grekë. Përmirësimet në infrastrukturën e bazës do të jenë vetëm përgjegjësi e Greqisë.