Greqia e ka gati axhendën e aktiviteteve që do të zhvillojë për të kujtuar ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në Shqipëri, varrezat e të cilëve janë ndërtuar në disa zona në jug të vendit. Në ceremoni do të marrin pjesë edhe zyrtarë të qeverisë së Greqisë.


“Si pjesë e festimit të Festës Kombëtare të Greqisë, më 28 tetor, do të mbahet një ceremoni zyrtare e kujtimit për nder të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës Greko-Italiane (1940-1941), të hënën, 28 tetor 2019 në 10:00 të mëngjesit në Varrezat Ushtarake në Këlcyrë dhe në 12.45 në Varrezat Historike Ushtarake të Bularat”. Kështu shkruan ministria e Jashtme e Greqisë në një njoftim zyrtar në faqen e saj në Web.


Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme, Antonis Diamataris, si zëdhënës i qeverisë greke, do të mbajë një fjalim në ceremoninë në Këlcyrë dhe një fjalim solemn në varrezat ushtarake historike të Bularatit. Në aktivitete do të marrë pjesë edhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Znj Sofia Filippidou.


Sipas MPJ greke, ceremonia do të organizohet në bashkëpunim me palën shqiptare, siç përcaktohet nga Marrëveshja dypalëshe e Bashkëpunimit ndërkombëtare midis Greqisë dhe Shqipërisë mbi “kërkimin, zhvarrosjen, identifikimin dhe varrosjen e personelit ushtarak grek të rënë në operacionet e luftës në Shqipëri gjatë Luftës Greko-Italiane të viteve 1940-1941 dhe ndërtimi i varrezave në territorin e Shqipërisë për varrosjen e tyre”.

Një aktivitet për Ditën Kombëtare të 28 Tetorit do të organizohet nga Konsullata e Përgjithshme e Greqisë në Korçë të Shtunën më 26 tetor 2019, në orën 10:00, në Kishën e Zonjës në Boboshticë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb