NGA ANILA JOLE

Kreu i SYRIZA-s Aleksis Cipras deklaroi në mitingun e fundit të fushatës elektorale para zgjedhjeve të së dielës se “poshtërimit kombëtar” të Greqisë po i vjen fundi. Cipras iu kërkoi grekëve që t’i japin atij mundësinë, për t’iu dhënë fund politikave financiare që Evropa po aplikon në Greqi. Lideri i së majtës ekstreme SYRIZA përsëriti premtimet e tij se do të anulojë një pjesë të borxhit, do rinegociojë masat shtrënguese dhe do kërkojë rishikim të pozicionit të Trojkës në Greqi.

Ndërkaq kreu i demokracisë së re Antonis Samaras, deklaroi para mbështetësve të tij se “të dielën do të fitojë ND dhe Greqia”. Nga Selaniku Samaras sulmoi ashpër SYRIZA-n dhe kryetarin e saj, Aleksis Tsipras. Samaras e akuzoi SYRIZA-n se kërkon të instalojë një regjim me “kryeministër të stilit Kore e Veriut”, përderisa don të marrë në zyrën e kryeministrit shërbimin e ndjekjes së krimit ekonomik dhe çdo autoritet tjetër të pavarur. Samaras theksoi gjithashtu se SYRIZA gënjen kur flet për “qethje” të borxhit, sepse e di shumë mirë që kjo nuk mund të bëhet.

Zgjedhjet e së dielës në Greqi po ndiqen me ankth nga tregjet financiare, të cilat frikësohen se fitorja e SYRIZA-s mund ta nxjerrë vendin nga euro. Sipas sondazheve të fundit, SYRIZA pritet të fitojë me 35%, gjë që nuk përbën shumicë absolute. Ai ka deklaruar se do t’iu shtrijë dorën komunistëve të cilët mund të sigurojnë rreth 5%, por këta të fundit nuk kanë dhënë sinjale bashkëpunimi. Kështu lufta e Cipras mund të vazhdojë pas zgjedhjeve me përpjekjet për të gjetur partner për qeverisjen. Në këto zgjedhje priten surpriza të tilla si partia ‘Lumi’ e gazetarit të njohur Theodhorakis, apo partia më e re e Papandreut, që shkëputi një pjesë të mirë të socialistëve të Venizelos. Mbështetja e partisë së këtij të fundit vazhdon të bjerret, nga pakënaqësia e grekëve prej politikës së saj disa vjeçare. Ndërsa ekstremistët e djathtë të ‘Agimit të Artë’ shkojnë në këto zgjedhje me njollën e bandës kriminale, por pa një vendim gjykate që i shpall ata fajtorë për këtë akuzë.

Si rrallëherë fushata në Greqi u karakterizua nga tone të ashpra të partive kryesore në vend, gjë që sipas analistëve la në hije partitë më të vogla.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: