TIRANE

Një grevë 24 orëshe të pilotëve, teknikëve dhe asistentëve të fluturimit të kompanisë Alitalia, Blue Panorama dhe Blue Air do të shkaktojë anulime dhe vonesa të fluturimeve, përgjatë ditës së sotme. Lajmi bëhet i ditur nga vetë Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar, i cili përmes një njoftimi bën me dije se sot, e Martë 21 maj, nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas si shkak i një grevë 24 orëveshe do të ketë anulime dhe vonesa të fluturimeve.


“Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar, i bën apel të gjithë pasagjerëve që do të udhëtojnë ditën e Martë 21 Maj, nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, se për shkak të një greve që pritet të jetë 24-orëshe, do të ketë anulime dhe vonesa të fluturimeve.


Vonesat dhe anulimet e më shumë se gjysmës së fluturimeve vijnë si pasojë e një greve të pilotëve, teknikëve dhe asistentëve të fluturimit të kompanisë Alitalia, Blue Panorama dhe Blue Air.


Për të shmangur pritjet e gjata, këshillojmë të gjithë personat që kanë parashikuar të udhëtojnë nga dhe drejt Italisë ditën e martë, që të kontrollojnë dhe të komunikojnë me kompanitë ku kanë rezervuar biletat e udhëtimin, për tu njohur me statusin e fluturimit.”-njofton AAC.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb