NGA FRED ABRAHAMS*

Pesëmbëdhjetë muaj pas rënies së Murit të Berlinit, partia komuniste në Shqipëri sundonte ende. Por 25 vjetori i protestave studentore këtë javë, e gjunjëzoi regjimin.

Muri i Berlinit kishte rënë dhe Gjermania u ribashkua. Në të gjithë Evropën Lindore, regjimet komuniste ishin rrëzuar një nga një. Por në Shqipërinë e vogël, këtë shtet stalinist në Adriatik, Partia e Punës qëndronte ende e fortë. Demonstratat kishin detyruar legalizimin e pluralizmit në dhjetor 1990 dhe ishte krijuar një grup i madh i opozitës, Partia Demokratike. Por liderët e partisë së re vinin kryesisht nga elita politike dhe për shumë shqiptarë ndryshimi ishte shumë i ngadaltë.
Të rinjtë në veçanti ishin të paduruar për t’ju bashkuar botës pas dekadash izolimi dhe abuzimi. Ata donin të udhëtonin, të vishnin xhinse, dhe të dëgjonin muzikë “dekadente” perëndimore, të gjitha këto gjëra të ndaluara nën kodin e rreptë stalinist. Studentët donin të studionin historinë, artin dhe letërsinë përtej kufizimeve marksiste-leniniste.

gonxhe gani xhengo

Megjithatë Partia Demokratike e sapo formuar po vepronte me kujdes, duke u takuar rregullisht me udhëheqjen komuniste për t’u konsultuar. Edhe ish të burgosurit politikë, të sapo liruar nga burgjet dhe kampet e punës, ankoheshin gjithashtu. Kur udhëheqësit e PD-së vizituan Shkodrën për të ngritur degën lokale të partisë, prifti katolik dhe ish i burgosuri Simon Jubani tha troç: “Ne ju falim që jeni komunistë, por tani mbani radhën.”

Udhëheqësit e PD-së Sali Berisha dhe Gramoz Pashko kundërshtuan që Shqipëria kishte nevojë për një parti serioze. Ashtu si Presidenti Alia, ata argumentonin se mungesa e traditave demokratike të Shqipërisë kërkonte respekt. Ishte e papërgjegjshme dhe joproduktive të veproje shumë shpejt.
Paradigma e moderuar-radikale nuk e shpjegonte plotësisht sjelljen e personave të përfshirë. Me shfaqjen e dy kampeve, individët ndërruan qëndrimet në varësi të rrethanave. Ndoshta më shumë se çdo gjë, faktori drejtues nuk ishte ideologjia apo strategjia, por lufta për pushtet brenda grupit. Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ishte Solidariteti në Poloni apo Karta 77 në Çekosllovaki, e cila kishte ballafaquar komunizmin në parim. Themeluesit e partisë, nuk ishin disidentë që kishin sfiduar pushtetin duke e marrë parasysh rrezikun.

studente

Në shkurt të vitit 1991, durimi i studentëve kishte arritur kulmin. Euforia e pluralizmit ishte tretur në qasjen e Partisë Demokratike me shtetin. Berisha, Pashko, dhe të tjerët ishin shumë të vetëkënaqur, thanë disa studentë, dhe tani ishte koha të veprohej.

Më 5 shkurt u shkëput energjia elektrike në Institutin Bujqësor në të dalë të Tiranës, dhe një grup studentësh kërkuan dorëheqjen e dekanit. Ky i fundit refuzoi dhe studentët hynë në një grevë derisa kushtet e jetesës të përmirësoheshin. Në mëngjes protestës iu bashkuan studentë nga Universiteti Enver Hoxha. Në mesditë, një turmë ishte mbledhur në Qytetin Studenti. Ndërsa folësit morën mikrofonin, lista e kërkesave u rrit: nëse kushtet e jetesës për studentët nuk përmirësoheshin, qeveria duhej të jepte dorëheqjen.

studente5

Ditën tjetër, studentët në Qytetin Studenti ngritën një komision, i cili i dërgoi një letër publike kryeministrit ku i sqaronte kërkesat e studentëve të Universitetit Bujqësor. Pasi i kërkonin ngrohje më të mirë, rrugë të asfaltuara, dhe një disko në Qytetin Studenti, ata i bënin thirrje për “çlirimin e shkollës nga ideologjia.” Më tej vinte kërkesa më delikate: heqja e emrit të Enver Hoxhës nga shkolla dhe emërtimi i saj Universiteti i Tiranës. Nëse qeveria nuk i plotësonte këto kërkesa, thuhej në letër, atëherë ajo duhej të jepte dorëheqjen.

Thirrja për të hequr emrin e diktatorit ishte strategjike dhe e guximshme. Studentët synonin të godisnin qendrën simbolike të regjimit. Ata donin të përcillnin, veçanërisht në zonat rurale, mesazhin që komunizmi kishte vdekur.

studente8

Qeveria i hodhi poshtë kërkesat e studentëve. Ramiz Alia e kishte kryesuar personalisht ceremonisë e emërtimit të Universitetit në vitin 1985; ishte ai që në mënyrë dramatike kishte hequr mënjanë perden për të zbuluar emërtimin e gdhendur në mur “Universiteti Hoxha Enver”. Heqja e emrit do të fyente të kaluarën dhe qytetarët e Shqipërisë, tha ai. Për çudi të studentëve, udhëheqësit e Partisë Demokratike ishin dakord. Ata kishin frikë se mos provokonin regjimin dhe krahun e saj konservator. Partia i kishte premtuar Alia-s se do të merrte pjesë në zgjedhjet e para në fund të muajit në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Ata gjithashtu mendonin se një grevë do t’u merrte shumë kohë nga fushata elektorale.

“Menduam që nëse krijonim probleme, atëherë do të kishim vështirësi të thyenim rregullat,” më shpjegoi Gramoz Pashko në vitin 2001 nga dhoma e tij e ndenjes, ku themeluesit e PD-së kishin hartuar platformën e partisë njëmbëdhjetë vjet më parë. “Simbolikisht, veprimet e tyre ishin të mira, por kjo mund të ketë zvogëluar mbështetjen tonë pasi krijoi përshtypjen se ndryshimi do të sillte kaos dhe anarki.”
Në fund, PD-ja as mundi t’i ndalonte as t’i kundërshtonte studentët, kështu ajo përdori një rrugë të mesme duke propozuar një referendum për heqjen e emrit të Hoxhës. “Partia Demokratike beson se stabiliteti nuk mund të arrihet duke mbyllur veshët, duke kundërshtuar ose duke mohuar kërkesën e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës,” thuhej në një deklaratë të hartuar me kujdes. “Përmbushja e kërkesës së studentëve nëpërmjet një referendumi studentor dhe të stafit të universitetit nuk ndikon në figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës i Partisë së Punës të Shqipërisë.”
Amfiteatri i Qytetit Studenti u zmadhua nga dita në ditë. Studentët përdorën një mikrofon metalik të lidhur me altoparlantë të vendosur mbi një tavolinë prej dërrase për të shtuar thirrjet e tyre për pluralizëm dhe reformë, thirrje që shpesh ndërpriteshin nga brohorima “Liri, Demokraci” ose “Poshtë Enveri!” Ata tregonin barsaleta dhe talleshin me regjimin. Studenti i Artit, Blendi Gonxhe lexoi poezi sarkazëm kushtuar Enverit para një tabele të pikturuar me dorë ku thuhej “Jepi një Shans Paqes.”
“Turma ishte si një lavanderi,” kujton Gonxhe dhjetë vjet më vonë në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës, ku ai punonte si zëvendës kryetar bashkie. “Ata erdhën për të pastruar veten e tyre.”

Studentët merrnin mikrofonin për të shprehur frustrimet dhe ëndrrat e tyre. “Gjatë pushimit të pranverës, studentët në Evropën Perëndimore shkojnë të bëjnë ski në Alpe”, tha një student nga Tropoja, teksa një mik i mban mikrofonin. “Por studentët shqiptarë kërkojnë takim me kryeministrin.”
“Ne kemi tetë parti politike dhe të gjithë ata janë të komprometuar nga partia komuniste”, deklaroi Shinasi Rama, duke iu referuar partive të tjera, si republikanët dhe Social Demokratët, të cilat ishin krijuar pas PD. “Ky është një pluralizëm fiktiv.”

Unioni i Pavarur i Tregtisë i sapo formuar do të shpallte një grevë të përgjithshme, nëse kërkesat e studentëve nuk plotësoheshin, deklaroi një përfaqësues. Një zëdhënës nga Fabrika Enver Hoxha tregoi një peticion me dy mijë emra me anë të të cilit ata kërkonin që vendi i tyre i punës të riemërohej Fabrika Traktor. Studenti dhe zyrtari i PD-së, Azem Hajdari erdhi gjithashtu i veshur me pardesynë e tij të bardhë. “Të dashur vëllezër e motra,” tha ai, sipas videos. “Faleminderit që na lejuat të lëvizim me makina.”

Erdhën edhe shumë zyrtarë të qeverisë, si Ministri i Arsimit Gjinushi, i cili u përpoq të përqëndronte turmën tek kërkesat ekonomike, por u ndërpre disa herë nga britma: “Hiq emrin! Hiq emrin!” Ai u takua me komitetin e grevës dhe iu ofroi atyre kushte më të mira fizike nëse ata e tërhiqnin kërkesën për të ndryshuar emrin. Por ndryshimi i emrit përfaqësonte zemrën e lëvizjes.

studente9

Për dhjetë ditë, asnjëra nga palët nuk pranoi të bënte kompromis. Protesta e studentëve u rrit dhe qeveria theksoi se emri dhe vepra e Enver Hoxhës “i përket gjithë popullit.” Duke reflektuar mbi grevën e studentëve vite më vonë, Ramiz Alia tha se ajo e kishte shqetësuar shumë. “Ata ishin të rinj që nuk e dinin çfarë bënin,” tha ai. “Kërkesat e tyre do të nxisnin konflikt.” Hoxha ishte i shenjtë dhe bosët e partisë në krahina po ankoheshin se udhëheqja e partisë e kishte humbur kontrollin. Flitej se një organizatë e quajtur “Vullnetarët e Enverit”, të gatshëm për të mbrojtur sistemin, kishte arritur në Tiranë.
Të palëkundur, të premten, më 15 shkurt, studentët ndërmorën një hap tjetër. Një dëborë e dendur mbuloi Qytetin Studenti, duke rënë mbi çadrat e zeza me flokët e saj të rënda. Blendi Gonxhe njoftoi se qeveria duhej të hiqte emrin e Hoxhës deri të në mesditën e të hënës përndryshe stydentët do të hynin në grevë urie. Qeveria nuk u përul, kështu që të hënën në 11:30 paradite, qindra studentë u rreshtuan jashtë qendrës kulturore të Qytetit Studenti. Shtatëqind e njëzet e tre persona shënuan emrat në listën e grevistëve, puthën flamurin shqiptar (pa yllin komunist), dhe u futën në qendrën kulturore, bashkë me ta edhe disa profesorë. Rojet u larguan më shumë për shkak të mungesës së hapësirës. Ata mbyllën derën dhe çelësin e mbajti një student në papafingo, ku organizatorët kishin fshehur disa thika të ndryshkura, hanxharë dhe armë dore nga Lufta e Dytë Botërore, më shumë për simbolizëm se përdorim praktik.

“Prindër, vëllezër dhe motra,” thuhej në një deklaratë provokuese nga komiteti organizativ i studentëve. “Me vendosmëri dhe pa dhimbje ju themi se nuk do të kthehemi në shtëpi. Nuk do të kthehemi as në mbrëmje. Ndoshta do t’ju mungojmë për disa ditë dhe jemi të sigurt se kjo mungesë do t’ju bëjë krenarë për ne.”

“Orët e para ishin entuziaste, euforike mund të themi,” kujton Edvin Shvarc, një nga studentët e grevës së urisë. “Por, kur ata e mbyllën, një heshtje e rëndë pllakosi.”

Atë natë Komiteti Drejtues i PD-së u takuan për të diskutuar krizën. Ata vendosën të takonin Presidentin Alia, siç kishin bërë disa herë gjatë dy muajve të fundit, dhe caktuan katër persona për këtë detyrë: Sali Berisha, Azem Hajdari, Eduard Selami, dhe Preç Zogaj. Alia pranoi menjëherë të takohej me ta.

Delegacioni e gjeti Alia-n gjakftohtë pak nervoz, kujtojnë Selami dhe Zogaj. Ai ishte një fanatik kontrolli dhe mërzitej kur gjërat i dilnin jashtë kontrollit. Kur ata hynë në zyrën e presidentit, ai po fliste në telefon me zë të lartë me kurriz nga dera, duke kërcënuar se do të deklaronte gjendjen e jashtëzakonshme. “Unë nuk e lë Shqipërinë të bjerë në kaos,” ulëriste ai në telefon. Anëtarët e PD-së u shokuan, duke menduar se Alia po i jepte urdhra ushtrisë.

enver monumenti

Alia mbylli telefonin, u kthye nga vizitorët, dhe u shtrëngoi dorën. Ata u ulën dhe vunë re se një burrë tjetër ishte tashmë në dhomë: Sabri Godo, kryetar i Partisë së vogël Republikane, krijuar pas PD-së, me urdhër të Alisë, siç mendojnë shumë njerëz. Alia u kthye nga Godo dhe e pyeti nëse ai kishte dorë në grevën studentore.
“Jo,” tha Godo.
“Po ju?” pyeti Alia përfaqësuesit e PD-së.
“Po, ne po,” u përgjigj Azem Hajdari.
Atëherë, shkoni merruni vetë me studentët, tha Alia. Përndryshe do të jeni ju përgjegjës për pasojat. Ai i kërkoi PD-së të përdorte ndikimin e saj tek studentët që t’i nxirrte nga greva dhe t’i bindte të hiqnin dorë nga kërkesa për ndryshimin e emrit të universitetit. Vetëm parlamenti mund ta ndryshojë emrin, këmbënguli ai. Studentët dhe profesorët duhet të mbajnë një referendum, siç kishte propozuar PD-ja, dhe parlamenti duhej të bindej.
Përfaqësuesit e PD-së thanë se referendumi nuk i plotësonte kërkesat e studentëve, dhe se ata nuk mund t’i bindnin studentët të ndalonin grevën. Në këtë pikë, ata u befasuan kur panë Ministrin e Arsimit, Gjinushi të hynte në zyrë përmes një dere të fshehtë në këndin që ata e mësuan pasi erdhën në pushtet një vit më vonë. Aty kishte qenë gjithë kohës këshilltari i Alia-s?
Si kompromis, Gjinushi dinak propozoi që qeveria të “riorganizonte” universitetin në katër pjesë dhe, në kuadër të këtij riorganizimi, të ndryshonin edhe emrin zyrtarisht. Anëtarët e PD-së pranuan t’ua prezantonin studentëve idenë e tij.
Rreth orës 2:00 të mëngjesit, delegacioni i PD-së shkoi tek studentët grevistë, të cilët ose po flinin apo pushonin në batanije, ose po luanin me letra. Përgjigja e tyre për propozimin e Gjinushit ishte një perlë, “Jo!” Qeveria duhet të deklarojë të hequr emrin Enver Hoxha, ishte kërkesa e tyre e prerë. “Mos përdorni studentët për të bërë kompromis që do t’ju ndihmojë të fitoni zgjedhjet,” tha një student teksa udhëheqësit e PD-së largoheshin.

Për dy ditë, studentët mbijetuan me ujë dhe cigare, edhe pse disa pranuan ushqim dhe pije që simpatizuesit ju sillnin fshehurazi. “Asnjë prind nga Tirana s’do t’i linte fëmijët të vdisnin urie,” tha Gonxhe. Mijëra njerëz ishin mbledhur jashtë për t’i mbështetur. Punëtorët nga Tirana dhe minatorët nga malet mbanin fjalime. Njerëzit vinin në këmbë që nga Kavaja. Ditën e tretë, një student grevist pati një goditje epileptike dhe një ekip mjekësor e mori me barelë, edhe pse disa ish-studentë më thanë se ishte thjesht shtirje për të mobilizuar mbështetje. Tashmë të zemëruar dhe nervozë, turma filloi të brohorasë. Një aktore me emrin Rajmonda Bulku mori mikrofonin dhe u kërkoi grave në turmë të marshonin. “Nëna dhe motra, le të shkojmë tek televizioni,” tha ajo, sipas një videoje të asaj dite. “Le të mblidhemi e të marshojmë në solidaritet me miqtë tanë, fëmijët, vëllezërit dhe motrat tona.”
Gratë në turmë filluan të lëviznin.

“Turma ishte tmerrësisht e tensionuar”, kujton Bulku në një intervistë që dha në dhjetë vjetorin e grevës. “Ata po prisnin nga momenti në moment që diçka të ndodhte…. Vetëm një fjalë donin dhe ishin gati të lëviznin.”

Gratë marshonin dhe burrat i ndiqnin. Rrjedha u kthye në një lumë dhe shumë shpejt lumi i zemëruar rrodhi nga Qyteti Studenti poshtë Rrugës së Elbasanit, drejt Liceut Artistik të Arteve ku policia kishte bllokuar studentët më 9 dhjetor. Kamionë policie me tuba dhe rezervuarë uji sulmuan marshuesit, duke i detyruar ata drejt ndërtesës së radios dhe televizionit shtetëror, pas muzeut të Hoxhës tek piramida dhe në bulevard. Forcat speciale të policisë dhe topa uji prisnin atje për të mbrojtur Bllokun e shenjtë ku jetonte udhëheqja politike dhe për të devijuar turmën drejt bulevardit dhe sheshit Skënderbej.

Veprimi i policisë ishte një manifestim fizik i strategjisë politike të Alisë që në 1989. Dëshira e shqiptarëve për ndryshim ishte shtuar si një valë, dhe asnjë mur s’mund ta ndalte atë forcë. Në vend që të ndërtonte një mbrojtje të padobishme, Alia e kanalizoi rrjedhën në zona që mund të menaxhoheshin dhe kontrolloheshin.

Forcat e sigurisë prisnin në shesh. Erdhën mijëra protestues, disa gjuanin me gurë, duke menduar sheshin Tiananmen, teksa shikonin statujën e bronztë tridhjetë këmbë të lartë të Enver Hoxhës, tek qëndronte shtatlartë majë piedestalit të tij prej graniti, si një shtyllë rrufeje në stuhi.
Një turmë u ngrit, u shtyp nga policia, u ngrit sërish, besimplote teksa numri i saj rritej. Krenar dhe i vendosur, Hoxha shikonte sheshin, veshur me kostum dhe pallto të gjatë, me dorën e majtë pas shpine dhe dorën e djathtë në një anë. Turma shtynte. Një djalë u kap pas palltos së Hoxhës dhe kapi një kabllo metalike rreth gishtit të diktatorit. Disa burra tërhiqnin nga e majta, ndërsa të tjerë shtynin nga e djathta, dhe trupi i liderit filloi të lëkundej nga njëra anë në tjetrën. Vetëm pas orës 2:00 të mëngjesit, ai u shkëput nga bazamenti dhe u rrëzua, jo për t’u çuditur, nga ana e majtë e Hoxhës.

(Pershtati ne shqip nga Huffington Post, Miranda Koci/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb