TIRANË- Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e Partisë Demokratike, Grida Duma, dënon sulmin fizik ndaj gazetarit investigues sot në Gjirokastër në mes të ditës, 50 metra larg komisariatit. Duma tha policia e Gjirokastrës, madje nuk ka pranuar ti marrë as denoncimin. Por nga ana tjetër ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila i ka quajtur shpifje, akuzat e PD-së. Sipas Ministrisë së Brendshme, vetë gazetari ka vlerësuar angazhimin e policisë së Gjirokastrës. MB ka ofruar për mediat edhe faksimilen e denoncimit të Skuqit.

“Dhunimi i gazetarit Telnis Skuqi sot në mesditë 50 metra larg komisariatit të Gjirokastrës, është një këmbanë alarmi për dhunimin e fjalës së lirë, për kërcënimin e lirisë së shprehjes. Gazetari Skuqi është i njohur për qëndrimet e tij kritike e për investigimin e korrupsionit e të trafikut të drogës. Nuk është aspak rastësi goditja e tij në mes të ditës dhe fare pranë zyrave të shtetit. Nuk është rastësi, dhe këtë e vërteton qartazi fakti që komisariati i Gjirokastrës disa orë pas ngjarjes vazhdonte të mos pranonte kallëzimin e tij me pretekste të papranueshme”, shprehet Duma.

Sipas saj, “Teksa Edi Rama bën gjithcka që të shesë si demokratik konceptin e tij të lirisë së shprehjes në Paris, këtu në vendin që ai qeveris, fjala e lirë goditet, gazetari dhunohet në derën e komisariatit, deputeti i opozitës goditet. Revanshi agresiv ndaj fjalës ka burim frymëzimi kryeministrin e vendit. Duke kërcënuar opozitën, duke organizuar skenarin e dhunës në parlament, duke mos dënuar e duke mos u distancuar nga kërcënimi i Kryetarit të opozitës, Edi Rama ka dhënë miratimin e tij për goditjen e fjalës së lirë. Këto janë simptomat e regjimit të fshehjes dhe mbylljes së gojës, që Edi Rama dhe oligarkia e tij po ndërtojnë në çdo instancë. Partia Demokratike e dënon ashpër goditjen e gazetarit Skuqi, dhe i kërkon Policisë të reagojë menjëherë e të vërë para ligjit agresorin e tij”.

Por Ministria e Brendshme ka mohuar kategorikisht akuzën se Policia e Gjirokastrës nuk i ka marrë denoncimin gazetarit Telnis Skuqi. “Për të disatën herë me radhë në këtë fushatë intensive shpifjesh nga më absurdet, PD akuzoi sot përsëri Policinë e Shtetit me variantin sipas të cilin nuk i është marrë denoncim një shtetasi, konkretisht shtetasit Telnis Skuqi. Sqarojmë opinionin se asnjë qytetari nuk i është refuzuar e drejta ligjore për të depozituar kallëzim në polici, për cilëndo ngjarje, pa dallim”, ka reaguar MB.

Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, thuhet se Policia e Gjirokastrës ka qenë tërësisht në dispozicion të shtetasit Telnis Skuqi për të marrë denoncimin e tij, “ashtu sikurse është në krye të detyrës në çdo moment për t’i shërbyer çdo qytetari që ka nevojë për ndihmën e policisë”.

“Vetë shtetasi Skuqi në denoncimin e bërë në Polici është shprehur: “Dua të theksoj se nga ana e policisë, pas denoncimit që unë kam bërë janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe nuk kam asnjë ankesë në adresë të tyre, pasi janë përgjigjur në kohë dhe në mënyrë profesionale”. Ftojmë Partinë Demokratike të heqë dorë nga gjuha e baltës dhe mashtrimit.‎ Pushteti i shpifjes pa hesap që përdor opozita, nuk mund të jetë instrument për politikë dite”, ka deklaruar MB.

Ministria e Brendshme ka përsëritur edhe njëherë apelin ndaj opozitës, që të lërë Policinë e Shtetit të bëjë detyrën e saj. “Qytetarët po dëshmojnë dita ditës luftën kundër paligjshmërisë e krimit, për të ndërtuar Shqipërinë e sigurt që duam e meritojmë të gjithë. Ripërsërisim domosdoshmërinë për të lënë Policinë e Shtetit të bëjë detyrën. Kjo është më e lehtë edhe për vetë opozitën, sesa të shpikë lloj-lloj mashtrimesh që nuk i beson dot më askush”, ka mbyllur reagimin e saj MB.


(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb