*Qytetarët: Dako nuk ka pret, hyn fshehtas nga dera e pasme në bashki

DURRËS- Kandidatja e opozitës për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma është takuar me banorë të zonës së plazhit të këtij qyteti, ku ka prekur nga afër situatën e vështirë ekonomike, sociale të tyre por edhe të biznesit në këtë zonë. Banorë i kanë përcjellë znj. Duma disa nga problemet e tyre që lidhen me bashkinë. Ata i kanë thënë kandidates së PD-së për kryebashkiake se janë lënë në harresë nga Bashkia dhe të papërfillur në hallet dhe problemet e tyre.

“Kam jetuar këtu që nga vitet ’60. Kur shkon tek bashkia, deri në orën 12 të drekës, Dakon e ke te “Piaca” ose diku tjetër duke pirë kafe dhe vjen më pas hyn nga dera prapa dhe del nga përpara. Megjithëse e njoh nuk mund të bisedoj njëherë normalisht. Hapni dyert të vijnë njerëzit e të këshillohen, e të merrni problemet. Të mos na hedhë hi syve se shiko si i ka lënë gropat. Pusetat e ujërave të shiut janë kthyer në puseta të ujërave të zeza. S’ka turizëm këtu, deri tek buza e ujit ka ndërtime dhe beton”, tha një prej banorëve të kësaj zone.

Një tjetër qytetar ka ndarë të njëjtin shqetësim, duke u ankuar për indiferencën e Bashkisë, ndërsa i ka kërkuar znj. Duma të mbajë hapur derën e këtij institucioni.

“Unë kam votuar për të majtën dhe se kam për turp ta them. Por dua një njeri dhe që dera jote si kryetare bashkie nesër të jetë derë e hapur që të dëgjosh ata njerëz dhe nënat tona për fëmijët e vetë”, u shpreh një qytetar tjetër.

Ndërsa vetë kandidatja Grida Duma, u shpreh se qytetit i duhet një administrator i zoti që të dojë njerëzit e të punojë për ta. Ajo u zotua se dera e saj do të jetë e hapur për të gjithë durrsakët. “Jashtë premtimeve elektorale, ju atë derën e keni tuajën. Nuk është dera ime. Kam ardhur për të marrë një pushtet tonin dhe tuajin të parin. Nuk ka nevojë për fjalë të bukura sepse atë që ju ndjeni unë e di shumë mirë”, tha Duma, e cila më pas ka takuar individualisht qytetarët, ku është njohur me probleme nga më të ndryshmet.

Duma: Pse ta kanë prerë asistencën

Qytetari: Nuk e di. Marr pensionin por atë nuk po ma japin.

Duma: Ke shkuar tek Bashkia të kërkosh ndihmë?

Qytetari: Kam shkuar tek bashkia dhe nuk më ka dalë as kryetari dhe askush. Po jetoj vetëm me bukë. Nuk më ndihmojnë fare por më ndihmojnë vetëm njerëzit me bukë.

Duma: Pas dy muajsh duhet të vish dhe të marrësh pension ose asistencë sepse nuk mund të ecësh më rrugëve.

Pronarë biznesesh dhe të shtëpive janë ankuar edhe për aksionin e INUK.

“Jemi zhgënjyer shumë. Kohën e fundit më erdhën këta banditët e INUK-ut dhe më prenë edhe pemën këtu me skavator. E kisha rritur prej 12 vitesh atë pemë. Ishalla po ndryshohet sepse kështu është kjo punë, kur tradhëtohesh do ndëshkohesh”, tha një pronar lokali.

“Nuk kanë bukë të hanë njerëzit dhe po qajnë rrugëve. Kam qenë duke vdekur për këtë lokal sepse i ra fadroma. E kisha me hipotekë”, u shpreh një pronare tjetër.

Nga ana tjetër Duma tha se më “21 qershor të marrim një pushtet që të na vlejë të gjithëve, duke qenë mirënjohëse që ju keni shpresë”, u përgjigj Duma.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: