Nga Fatmir Popja-Ekipi ynë kombëtar i femrave po zhvillon përgatitjet e radhës në Elbasan dhe gjatë një Konference për shtyp trajneri dhe kapitenia kanë shprehur optimizëm për gjendjen aktuale dhe të ardhmen e ekipit kuq e zi.

ARMIR GRIMA – “Pika e marrë në Poloni një pikë shumë të vlefshme, sidomos nga ana morale, pasi e bëmë këtë ndaj një kundërshtari të fortë që pretendon të kalojë grupin. Në tërësi në këto eleminatore kemi bërë ndeshje të mira, por nuk kemi marrë atë që kemi dhënë. Ndryshe ndodhi me Poloninë, ku morëm edhe rezultatin.

Përsa i përket ndeshjes me Bjellorusinë kemi një grup të plotë dhe gjendja është shumë e mirë, por shpresojmë ta përballojmë edhe fizikisht këtë 90 minutësh.

Duam të paraqesim këtë futboll që kemi bërë deri më tani dhe të marrim rezultatin. Ne do t’i bëjmë yzmetin, sepse në futboll nuk ka të pamundura, ku përveç rezultatit duam të vazhdojmë me serinë e lojërave pozitive. Pika në Poloni pa një rezultat pozitiv ndaj Bjellorusisë mbetet një ‘fluskë sapuni’.

Më përpara pësonim shumë gola, ndërsa tani nuk jemi më ai ekip, ku po shohim edhe një futboll të bukur. Edhe kur humbim duhet të bëjmë një futboll të pëlqyeshëm dhe vajzat thjesht duhet të shprehin në fushë ato cilësi që kanë”.
ALBINA RRAHMANI – “Dihet që gjithnjë pas një rezultati pozitiv është një atmosferë e mirë në skuadër. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu dhe t’ia dalim ndaj Bjellorusisë. Në shumë ndeshje kemi implementuar një filozofi të re të lojës, të luajmë mirë dhe bukur dhe të marrim më pas edhe rezultatin. Shpresojmë për tri pikët në Elbasan dhe shpresojmë gjithashtu tek një mbështetje sa më e madhe e tifozëve. Nuk na ka munguar sa herë kemi luajtur këtu dhe besoj se nuk do na mungojë as të martën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb