Ivik Knudssen-Ostermann, pronari i kompanisë që organizon turne me varka për të parë ajsbergët spektakolarë të Groenlandës, ka vënë re një rritje të madhe të turistëve. Kjo vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e vendosi ishullin në qendër të vëmendjes globale, si dhe hapjes së një aeroporti të ri ndërkombëtar në kryeqytetin Nuuk.

“Tashmë, ne po marrim shumë më shumë rezervime sesa më parë, veçanërisht për shkak të një njeriu me mbiemrin Trump. Ai vërtet e ka vendosur Groenlandën në krye të destinacioneve më të kërkuara,” tha Knudssen-Ostermann, drejtues i “Greenland Cruises”.

Groenlanda u bë fokusi i vëmendjes ndërkombëtare në janar kur Donald Trump mbërriti në aeroportin e ri të Nuuk. Që atëherë, presidenti Trump, ka shtuar komentet mbi rëndësinë strategjike të ishullit për SHBA-në, veçanërisht për burimet e mineraleve të rralla.

Autoritetet lokale shpresojnë se aeroportet e reja do të forcojnë turizmin dhe industrinë minerare, duke ndihmuar diversifikimin e ekonomisë që aktualisht varet kryesisht nga peshkimi. Akullnajat, fjordet dhe jeta e pasur detare janë ndër atraksionet kryesore, ndërsa trashëgimia Inuit po tërheq gjithashtu gjithnjë e më shumë vizitorë.

Hapja e aeroportit të Nuuk në nëntor ka lehtësuar ndjeshëm udhëtimet, dhe në qershor, “United Airlines” do të nisë fluturimet direkte nga Nju Jorku në Nuuk. Kjo do të zëvendësojë itinerarin e mëparshëm që kërkonte ndalesa në Kopenhagë dhe tranzit në ish-bazën ushtarake amerikane, Kangerlussuaq.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: