Emisioni investigativ Vetting në News24

Por çfarë deklaron në bilancin e fundit OSHEE në lidhje me KESH? Dëmi që mund të jetë bërë në këtë fushë shkon deri në 600 milionë euro. Kjo pasi paraprakisht u nënshkrua një marrëveshje në 6 prill 2018 për shlyerjen e 56 milionë eurove detyrime ndërmjet OSHEE-së dhe KESH-it. Aktualisht nga projektbuxheti i vitit 2024 rezulton se OSHEE ka detyrime ndaj KESH nga 554 milionë euro deri në 587 milionë euro.

Ky fakt konfirmon mosnjohjen e detyrimeve reciproke midis dy institucioneve më të rëndësishme të energjisë elektrike, e cila lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.

Nga të dhënat e projektbuxhetit 2024 evidentohet se për të përballuar krizën energjetike 2021-2023, qeveria shqiptare ka akorduar disa fonde me vlerë totale 50 miliardë lekë ose 500 milionë euro.

Vetëm duke mbledhur borxhet e OSHEE, KESH dhe OST, krijohet një gropë financiare me vlerë 1.1 miliardë euro, e cila përbën 16% të buxhetit të shtetit për vitin 2024.

Por, edhe OST ka detyrime ndaj KESH-it, për të cilat palët akoma nuk janë marrë vesh.

Por përse janë fshehur bilancet?

Ishin këto pasaktësi në buxhet që nxitën gazetarët e “Vetting” për të hetuar se si janë mbajtur bilancet dhe a mund të ishte shmangur ky keqkuptim sikurse pretendojnë deri tani të dy ndërmarrjet, për këtë shumë jo të vogël. Bilancet janë të rëndësishme pasi vetëm përmes tyre evidentohet lehtësisht se si qëndron ky hendek borxhesh dhe arkëtimesh.

Sipas ekspertit të energjisë, Klodian Gradecit, në 3 vitet e fundit, çmimet e energjisë kanë qenë të favorshme për bilancet e Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

“Këto tregojnë fare mirë, që ka qenë mundësia e shkëlqyer që Shqipëria të dilte me bilance pozitive në sektorin e energjisë. Nuk bën logjikë, që KESH si prodhues të ketë bilanc negativ,  por vendosja e situatës së emergjencës dhe vendosja e disa detyrave KESh-it, për të mbuluar humbjet dhe detyrimet që kishte FSHU-ja ose OSHEE-ja për të furnizuar klientët e tij, ka çuar që KESH-i të ketë një bilanc negativ”, tha eksperti i energjisë, Gradeci për “Vetting”.

Eksperti Gradeci shtoi se bilancet që nuk pasqyrohen, pasi nëse pasqyrohen do të tregojnë që janë bilance me humbje dhe do duhet të dalin përgjegjësitë që lidhen me keqmenaxhimin.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: