DURRËS- Një ditë pas denoncimit në News24 të situatës së krijuar te “Shkëmbi i Kavajës”, ku një gropë gjigande e mbushur me ujëra të zeza ka bllokuar rrugën, ka reaguar edhe ndërmarrja e Ujësjellës-kanalizimeve, e cila ka shmangur përgjegjësitë.

Në një njoftim për mediat ndërmarrja e Ujësjellës-kanalizimeve në Durrës thotë se ka vënë në dijeni Prefekturën, bashkinë Durrës, Drejtorinë e Rrugëve dhe Komunën Rrashbull, si institucione përgjegjëse që duhet të ndërhyjnë për rinisjen e punimeve të lëna në mes.

Situata është krijuar për shkak të një ndërhyrjeje nga kjo ndërmarrje dhe komunës Rrashbull për disiplinimin e ujërave të zeza që zbrisnin nga kodra në rrugën dytësore. Por lënia në mes e tyre ka shkatërruar tërësisht një segment të rrugës Plepa-Rrogozhinë. Por ndërsa rruga është çarë dhe trafiku është bllokuar tërësisht, ujërat e zeza kanë shpërthyer duke u derdhur pa ndërprerje në garazhet e pallateve për të përfunduar në det. Punëtorët janë larguar, ndërsa era e rëndë është përhapur në të gjithë zonën. Banorët nga ana tjetër kacavirren nëpër mure për të kaluar një anë e rrugës në tjetrën.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb