POGRADEC- “Do të të vras. E kam ruajtur një plumb për ty. Do t’ua qeth flokët vajzave që të mos bëhen si ti”. Këto janë disa nga kërcënimet që i bëhen që prej 6 vitesh Elida Bufit nga ishbashkëshorti i saj.
45-vjeçarja nga qyteti i Pogradecit, ndihet e terrorizuar nga babai i dy vajzave të saj, i cili, edhe pse kanë kaluar shumë vite, nuk pranon divorcin. “Më kanë martuar që 14 vjeçe me mblesëri. Martesa ishte një ferr për mua. Ishburri im më konsideron pronë të tijën dhe mendon se mund të bëjë çfarë të dojë me mua. Realisht jam e rrezikuar me jetë”, – tha dje Elida Bufi.

Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 45-vjeçarja pohoi se, edhe pse ka bërë disa herë denoncim në Polici dhe ka marrë 3 urdhra mbrojtjeje, vijon të kërcënohet sistematikisht nga ishburri. Ajo akuzon policinë e Pogradecit për neglizhencë ndaj dhunës së vazhdueshme të ish-burrit të saj. Zonja Elida, si qëndron aktualisht marrëdhënia juaj me bashkëshortin 6 vjet pas ndarjes?
Ish-burri im vjen herë pas here në Pogradec. Ai kërcënon njerëzit e mi, mua dhe dy vajzat, se do të na vrasë dhe se i ka numëruar plumbat për ne. Edhe pse kemi disa vite që jemi ndarë, ai nuk pranon që unë të jem e lirë dhe të shkoj në punë.
A e keni denoncuar ishbashkëshortin tuaj për këto kërcënime?
Që prej 2008-2009-ës që jemi ndarë, unë e kam denoncuar disa herë babain e fëmijëve të mi. E kam denoncuar edhe para ndarjes, edhe më pas, për dhunën e vazhdueshme që ai ushtronte ndaj meje. Kam shkuar 2-3 muaj në polici bashkë me vajzat, madje jam detyruar të fle shpesh edhe jashtë, pasi ai nuk pranonte që të kthehesha në shtëpi. Pas divorcit kam shkuar disa herë në polici, kam marrë disa urdhëra mbrojtjeje, por sërish vijon e njëjta situatë si më parë, me kërcënime pa fund nga ana e tij. Çfarë ju thotë dhe si të kërcënon ish-burri juaj?
Ai më merr shpesh në telefon dhe më thotë fjalë të ndyra, ndërsa më akuzon për marrëdhënie me burra të tjerë. Kërcënimet e tij janë morale e fizike. Më thotë se do të më vrasë. Se ka ruajtur një plumb për mua. Më kërcënon se do të më vrasë babain, pasi sipas tij, im atë nuk më lë të kthehem sërish tek ai. Madje më ka thënë për dy vajzat që i kam adoleshente, se do t’i qethë që të mos dalin nga shtëpia, pasi në të kundërt do të bëhen si unë.
Cili është shkaku i sjelljes agresive të ish-bashkëshortit tuaj?
Ai ka vite që bën këtë sjellje, pasi mua më konsideron një plaçkë. Më quan pronë të tijën dhe nuk e pranon divorcin, edhe pse kanë kaluar vite. Shpeshherë më akuzon edhe për vajzat, se nuk janë të tijat dhe se unë i kam me burrë tjetër.
Ju, jeni martuar me dashuri apo me mblesëri?
Lidhja është bërë me mblesëri, vite më parë. Prindërit më kanë fejuar që 14 vjeçe. Ne vijmë të dy nga zona të thella. Unë jam me origjinë nga Mokra, kurse ai (ka vetëm 8 vjet klasë) nga fshatrat e Prrenjasit.
Çfarë përgjigjeje ju kanë dhënë në komisariatin e Pogradecit kur keni bërë denoncimet përkatëse?
Në komisariat, përveç një efektivi, të gjithë të tjerët më kanë pritur sa për të kaluar radhën. Ata më thoshin se, përderisa unë nuk jam rrahur dhe nuk kam shenja, s’kanë përse të merren me mua. Nuk di se si të veproj. Të gjitha kërcënimet që më bën ishbashkëshorti, policia i cilëson të pavlera. Më kanë thënë se duhen fakte, si mesazhet, dhe jo telefonatat.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: