E njëqindta histori dhune mes burrit e gruas, këtë herë ka përfunduar me një tragjedi, ku viktimë është një prej fëmijëve të çiftit. Ngjarja ka ndodhur në Sabbioneta, në Mantovano, ku një burrë i ka vënë flakën shtëpisë ku jetonte gruaja për ta bërë të paguante pasi kishte ndërmend të ndahej prej tij.

Por ai që humbi jetën i asfiksuar nga tymi, ishte djali 11-vjeçar, Marco që ndodhej në dhomën e gjumit duke pushuar.

Babai, Gianfranco Zani, 52 vjeç, pas ngjarjes u arratis por është kapur nga një patrullë e policisë rrugore në Casalmaggiore, qendër e provincës së Cremonas, pak kilometër nga vendi ku ndodhi tragjedia.
Pak ditë para ngjarjes, burri kishte marrë një urdhër për të mos iu afruar shtëpisë së familjes, ku jetonte gruaja dhe tre fëmijët.

Mosmarrëveshjet mes të dyve, të mbushura me grindje të dhunshme, vazhdonin prej disa kohësh. Gjërat ishin precipituar kur, pas grindjes së njëqindtë, gjyqtari e kishte ndaluar burrin e saj të afrohej në shtëpi dhe gruaja e tij, e vendosur për t’u ndarë, ishte dërguar në një qendër sociale për t’i shpëtuar rrahjeve të bashkëshortit të saj.

Gruaja ishte kthyer në shtëpi, një vilë në pjesën e re të Sabbionetas, ku jetonin tre fëmijët e saj.
Nëna me origjinë nga Europa Lindore, kishte dalë nga shtëpia për të shoqëruar djalin e madh, 17 vjeç në orator. Në shtëpi kishin mbetur dy fëmijët e tjerë, 4 dhe 11 vjeç.

Burri, që ndoshta qëndronte prej kohësh përpara shtëpisë për të vëzhguar lëvizjet e gruas, sapo e ka parë që largohej me një prej fëmijëve ka hyrë në shtëpi dhe i ka vënë flakën disa mbiljeve që ndodheshin në katin e sipërm. Ndërkohë që 11-vjeçari ishte në dhomën e tij për pushimin e zakonshëm.
Mbetet për t’u qartësuar nëse babai e dinte apo jo se dy fëmijët e tjerë ishin në shtëpi.

Pak para orës 17:00, gruaja ndërsa kthehej në shtëpi me makinë, ka vënë re burrin që lëvizte me një furgon duke u kthyer nga banesa.
Kur ai e vuri re gruan e tij, e përplasi dhe më pas u arratis. Gruaja ishte frikësuar, por mbi të gjitha kishte pasur një parandjenjë tragjike: kështu që i dha gaz makinës dhe kur u afrua në shtëpi, pa tym që dilte nga shtëpia.

Ajo nxitoi brenda dhe shpëtoi fëmijën e vogël, ndërsa nuk mundi të arrinte në dhomën e gjumit lart ku zjarri ishte kthyer në masiv.
Më pas ajo vuri alarmin dhe zjarrfikësit mbërritën në vend duke nxjerrë 11-vjeçarin. Por gjendja e tij ishte e rëndë. Pak minuta pasi u transportua në spital humbi jetën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb