Rikthehet sërish historia e Flutura Hasanajt nënës nga Vlora të cilës me vendim gjykate i takonte kujdestaria e djalit. Flutura u bë nënë në moshën 21-vjeçare. Ajo u martua në vitin 2010 në Vlorë.
Familja në vitin 2011 u transferua në Itali dhe në vitin 2012, Flutura lindi djalin.


Nëna rrëfeu se xhelozia e bashkëshortit bëri që kjo martesë të mos funksiononte, e dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht ajo rrëfeu në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 se mori të birin dhe kërkoi ndihmë.


Shteti italian menjëherë mori masa dhe e strehoi në një qendër kundër dhunës ndaj grave. Nëna dhe djali jetuan aty për gati një vit. E teksa kjo grua vuante së bashku me djalin pasojat e dhunës, bashkëshorti i saj u kthye në Shqipëri dhe bëri procesin e divorcit pa praninë e saj.


Asokohe gjykata vendosi fëmijën në ngarkim të tij. Ish-bashkëshorti kthehet në Itali dhe merr djalin me justifikimin se do të takonte të birin. Së bashku me vogëlushin ai kthehet në Shqipëri. Menjëherë Flutura njoftoi policinë e Italisë dhe kjo e fundit me një shkresë zyrtare i kërkoi Ministrisë së drejtësisë shqiptare rikthimin e fëmijës tek nëna.

Kjo situatë bëri që në Shqipëri të zhvillohej një proces gjyqësor i cili vendosi që fëmija të kalonte në ngarkim të Fluturës. Ish-bashkëshorti e refuzoi këtë vendim dhe iu drejtua Gjykatës së Apelit por edhe kjo e fundit la në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë. Pra djali duhet të rikthehej tek nëna. Emisioni “Me zemër të hapur” iu drejtua institucioneve zyrtarisht lidhur me këtë situatë. Këto të fundit më në fund arritën të zbatonin vendimin e gjykatës dhe fëmija iu rikthye nënës. Sot në studio ish-bashkëshorti i Fluturës kërkoi të shohë të birin sipas vendimit të gjykatës, ndërkohë që gruaja nuk pranon pasi sipas saj, djali dhunohet nga prindërit e ish-bashkëshortit.

“Fëmija im ka një baba dhe ai është Malo dhe askush nuk ia heq të drejtën. E mira është që fëmija të rritet me nënë e baba. Për momentin nuk jam gati t’ia jap”, tha nëna në një lidhje telefonike nga Italia.

Ndërsa babai këmbënguli që i biri të pyetet nga gjykata se më kë do të rrijë.
“Të tregohet e vërteta, çfarë do fëmija. Jo çfarë dua unë, jo çfarë do e ëma. Unë dua të pyetet fëmija. Ai e thotë vetë me kë do të rrijë”, tha i ati i Antonios, i cili deklaroi se do kërkojë të drejtën e tij për të marrë të drejtën për të mbajtur djalin.

Po kështu Malo i bëri thirrje institucioneve të larta të Drejtësisë të shohin çështjen e tij dhe vendimin e gjykatës që i hoqi të drejtën e kujdestarisë.
Ndërkohë ish-gruaja e tij Flutura i tha ‘live’ se mund të shkojë dhe ta shohë të birin kur të dojë, atje ku jeton ajo në Itali.

(m.k/BalkanWeb)