SHBA- Filmi “American Sniper” i Clint Eastwood i bazuar në një histori të vërtetë po korr sukses rekord vetëm pak ditë pas daljes së tij në kinema, ndërsa ka marrë gjashtë nominime për Oscar. Por ajo që pyesin të gjithë pasi e shohin filmin, është, nëse dashuria e paraqitur në film mes dy protagonistëve ishte e tillë edhe në jetën reale?!
Chris Kyle, që u vra në moshën 39-vjeçare në vitin 2013 dhe gruan e tij Taya, luhen nga aktorët Bradley Cooper dhe Sienna Miller.

E veja e Chris, 40-vjeçarja Taya, thotë se jeta dhe martesa e tyre ishte po ajo që paraqitet në film. “Isha e dashuruar marrëzisht në të dhe ende jam. Më mungon shumë. Më pëlqente të isha gjithmonë në krahët e tij dhe t’i mbaja duart”, tha ajo.
“Lidhja ime me të, që nga fillimi ishte shumë reale. Shumë reale, e thellë, dashuri pasionante. Ne kaluam nëpër kohë të vështira, por ne gjithmonë gjetëm rrugën e kthimit te njëri-tjetri”, tregoi Taya, duke përshkruar martesën e saj me Chris.

Christopher Scott “Chris” Kyle lindi më 8 prill 1974 dhe ishte një nga snajperistët më të mirë të Ushtrisë amerikane, me një numër prej 160 të vrarësh. Kyle shërbeu në Luftën e Irakut dhe u dekorua me disa urdhra për aktet heroike dhe shërbimin e çmuar në luftë.

Kyle u tërhoq nga Marina Amerikane në vitin 2009 dhe në janar të vitit 2012 publikoi një autobiografi, “American Sniper” që u bë shumë shpejt bestseller. Në 2 shkurt të vitit 2013, Chris Kyle u vra pranë Malit Chalk në Texas bashkë me mikun e tij Chad Littlefield. Personi që u akuzua për vrasjen e tyre, është në pritje të gjykimit.

Një përshtatje e autobiografisë së tij u bë film nga regjisori i madh Clint Eastwood dhe doli në kinema në dhjetor 2014.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb